Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara përmes një postimi në rrjetet sociale ka denoncuar projektin “Durrës Yachts & Marina”.

Në postimin e tij, Cara shkruan se investitori i huaj ndryshe nga shqiptarët do të përjashtohet nga pagesa e taksës së infrastrukturës dhe e strehimit social.

Gjithashtu, kreu i PD Durrës tështë ndalur dhe tek fitimi i palës shqiptare, e cila ka 33% të aksioneve, që sipas Carës “duhet pritur gjatë (ndoshta deri 100 vjet), që të finalizohet investimi, të bëhet bilanci dhe në fund të ndahet fitimi.”

Postimi i plotë:

“Durrës Yachts & Marina” surprizon përsëri. Sa herë flitet për këtë projekt, “çudirat” nuk kanë të sosur!

Referuar “Monitor”, projektligji me të cilën kjo marrëveshje do të kalojë në Kuvend, jo vetëm do të miratohet me proçedurë të përshpejtuar, por parashikon përjashtimin e investitorit nga pagesa e taksës së infrastrukturës dhe e strehimit social.

E kundërta ndodh kur investojnë shqiptarët! I kërkohen të paguajnë të gjitha taksat!

Një rregull që nuk vlen për mikun e Ramës!

Pasi e ndjenë presionin, që falën tokën me ligj, si super specialistë që janë vendosën krijimin e një kompanie të përbashkët, ku 33% e aksioneve do t’i përkasë palës shqiptare.

Në këto kushte, lind pyetja:

33% e kujt?

E fitimit apo e sipërfaqes që do të ndërtohet?

Nëse bëhet fjalë për 33% të fitimit duhet pritur gjatë (ndoshta deri 100 vjet), që të finalizohet investimi, të bëhet bilanci dhe në fund të ndahet fitimi.

Çdokush e di që nuk mund të ndahet fitimi, pa përfunduar tërësisht projekti!
Përveç pasurisë kombëtare të grabitur me ligj dhe miliardave që vjedhura, asgjë e re nga Rama & CO!