Durrës, 13 qershor 2014 – Adoleshentit 16 vjeçar, të plagosur mbrëmjen e së enjtes me armë zjarri, dëshira për të pasur një armë për pak sa nuk i ka marrë jetën.

Ndërsa në momentet e para, kur familjarët e tij e dërguar adoleshentin Roland Mani me urgjencë në spital, policia mendoi se bëhej fjalë për një tentativë vetëvrasjeje ose një konflikt të armatosur, gjithçka u zbardh kur uniformat blu shkuan në shtëpinë e adoleshentit nga Sukthi.

Sipas policisë, plagosja e adoleshentit 16 vjeçar, rreth orës 21.00 të së enjtes, ka qenë aksidentale.

Ndërsa të gjithë po përgatiteshin të ndiqnin ndeshjen e parë, që do të hapte siparin e Botërorit Brazil 2014, Rolandi ishte i përqendruar në dëshirën e tij të fortë për të prodhuar një armë me duart e veta.

Megjithëse në një moshë ende shumë të re dhe pa asnjë fare eksperience, adoleshenti kishte përshtatur në formën e armës së zjarrit dy tuba metalikë. Pikërisht me këtë armë artizanale ai ka realizuar qitje me një fishek, e cila i ka shkaktuar vetëplagosje.

Sapo kanë ndjerë krismën dhe kanë parë birin e tyre të mbuluar me gjak, prindërit e tij e kanë dërguar me urgjencë në spital. Fatmirësisht, mjekët bëjnë të ditur se plaga e marrë nuk i ka shkaktuar dëmtime serioze të riut, dhe për këtë ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Por përveç plagosjes, situata e adoleshentit Mani rëndohet më tej, pasi në shtëpinë e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 403 copë fishekë, model 56. Efektivët e rendit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për adoleshentin 16 vjeçar që akuzohet për «Mbajtje pa leje e municioneve luftarake».

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/