Grosisti nuk pagoi detyrimin prej 81 227 USD, u gjobit 325 mijë dollarë
DURRËS, 10 janar 2014 – “Dehet” një firmë grosiste alkooli, që nuk donte të paguante 81 227 dollarë detyrim, por fshehurazi ka tërhequr nga magazina fiskale 18 670 litra alkool etilik, që e shiti pa paguar akcizën, duke harruar se mund të kontrollohej si grosistët e karburanteve. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se në ditët e para të janarit 2014 strukturat e departamentit të akcizës në këtë drejtori, në bashkëpunim me degën e doganës së Durrësit, gjatë kontrollit në magazinën fiskale të alkoolit të subjektit “Vora LTD” shpk gjetën mangët 18 670 litra alkool etilik. Kjo sasi e konsiderueshme ishte hedhur në treg pa paguar detyrimin e akcizës me vlerë 8 401 500 lekë (81 227 USD). Për këtë shkelje ai është dënuar me trefishin e detyrimit të munguar në shumën 25 204 500 lekë, gjithsej 33 606 000 lekë (325 000 dollarë).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





