DURRES – Zbulohet një kufomë në bregdetin e Currilave. Paraditen e sotme në breg, afër lokal “Kështjella”, në Durrës është zbuluar një kufomë e seksit mashkull që mendohet të jetë i moshës rreth të 50-ve. Mendohet se deti i trazuar ka nxjerrë në breg kufomën, e cila nuk dihet ende nëse është mbytur në bregdetin durrsak apo është sjellë këtu nga rrymat detare.
Burime të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se kufoma nuk paraqet një shkallë të lartë dekompozimi dhe po punohet për identifikimin e saj. Burri i gjetur i vdekur është rreth 164 cm i gjatë, me flokë të thinjura e të rëna përpara dhe mbante veshur një bluzë të zezë, e cila i është gjetur e mbështjellë në kokë.
Ky është rasti i dytë brenda 3 ditëve që zbulohet një kufomë në qarkun e Durrësit. Paraditen e së enjtes u zbulua në një fshat në Fushë-Krujë në një kanal, kufoma e një mashkulli, që më pas rezultoi se ishte banor I lagjes nr.15 në Durrës.





