Zënia e hapësirave të përbashkëta të pallatit ka krijuar prej vitesh tensione mes banorëve të godinës 5 katëshe në lagjen nr.4 të Durrësit.

Në pallatin nr.963, hapësira e përbashkët që dikur ishte pjesë e shkallëve të pallatit është zënë nga 10 familje, ndërsa 10 familjet e tjera janë të privuara nga ajrosja dhe drita, që vinte përmes dritares që ndodhet në çdo kat.

E ndërsa një pjesë e banorëve pretendojnë se u janë uzurpuar hapësirat e përbashkëta, përfituesit deklarojnë se gjithçka është kryer konform ligjit dhe tani gëzojnë dokumente pronësie për apartamentin që kanë.

Shqetësimi jonë është për dritaret e shkallëve, është pronë e përbashkët. Fillimisht disa I mbyllën me derë zgare me xhama, pastaj vunë derën. Më kanë mashtruar komshiu. Më ka thënë do ta bëjmë të përbashkët me fut biçikletat, kur jam kthyer nga puna e kam gjetur të mbyllur, kishin kaluar derën nga njëra anë e murit, tek tjetra dhe tani hapësirën ia kanë future banjos së vet”.

“Në kohën e rrëmujave, në vitin 97 na kanë bllokuar shkallën. Atë penxhere ku merrnim ajrosje apo shkundnim diçka nuk e kemi më. Ata na e morën me hile, se po e mbyllnin gjasme nga rrëmujat dhe e përvetësuan. Na e mbyllën komplet me derë.”

“Kjo është bërë me mirëkuptim dhe planimetrinë në Urbanistikë e keni kështu siç është. Jo ashtu si ka qenë. Është ndryshuar komplet projekti. E ke me dokument këtë tani!”- thonë disa nga banorët për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Shqetësimin e saj, njëra nga banoret e ka ngritur edhe pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, që në vitin 2022, por deri më tani nuk ka marrë një përgjigje konkrete nga ky institucion.

Problematika e nisur që në vitin 1997 vazhdon edhe në ditët e sotme duke ndikuar drejtpërsëdrejti në marrëdhëniet e përditshme mes familjeve të kësaj godine, të ndërtuar rreth viteve ’80.

M.B.