DURRËS, 5 mars 2015 –  Pas një pune më se dyjavore personeli i Shërbimit Hidrografik Shqiptar (SHHSH) arriti të zëvendësojë dy bovat e dëmtuara në kanalin hyrës të Portit të Durrësit, të cilat sillnin vështirësi në hyrje-daljet e anijeve në këtë port, njofton zyra e shtypit e Forcës Detare me seli në Plepa.

Komandanti i Shërbimit Hidrografik Shqiptar, kapiten i rangut II Lulzim Kryeziu sqaron se, mbas daljes në tokë të dy bovave, u pa se njëra ishte dëmtuar plotësisht, ndërsa tjetra mund të riparohej. Pas një punë këmbëngulëse, me dhe pa orar në ofiçinën e fenerëve të këtij shërbimi, specialistët vunë në eficencë bovën e dëmtuar dhe përgatitën një bovë të re.

Në dyjavëshin e fundit të muajit shkurt 2015, me ndihmën e Autoritetit Portual Durrës dhe Drejtorisë së Administratës Detare, personeli i faro-fenerëve dhe i mjeteve lundruese arriti të vendosë bovat në pozicionet e caktuara të kanalit hyrës. Fillimisht u vu bova e çiftit të tretë, djathtas, jeshile, dhe më pas bova e çiftit të parë, majtas, me ngjyrë të kuqe.

Aktualisht, efektivi i SHHSH-së po bën kontrollin e sistemit të sinjalistikës e faro-fenerëve në të gjithë bregdetin shqiptar, për të parë gjendjen e tyre teknike dhe kryerjen e shërbimeve profilaktike atje ku nevojitet. Për këtë po bashkëpunohet me kantierin e riparimit të anijeve në Pashaliman, kryesisht në prodhimin e kullave metalike të reja, të cilat do të zëvendësojnë hap pas hapi ato të dëmtuara ose konsumuara në vite.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/