21 gusht 2015 – Spitalet universitare të Tiranës dhe të spitaleve rajonale të Durrësit dhe të Vlorës do të funksionojnë me orare më të zgjatura dhe do të jenë në pritje të pacientëve edhe të shtunën për kryerjen e ekzaminimeve me rezonancë magnetike. Ky vendim vjen pas shqetësimeve për një fluks në rritje të qytetarëve që kanë nevojë për këtë shërbim. drejtori i drejtorisë të kontrollit spitalor në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Kristi Xhunga tha për TCH-në se do të ketë një grafik të ri të shpërndarjes së pacientëve.
Në spitalin rajonal të Durrësit do të kryejnë rezonancë magnetike pacientët e rajonit të Beratit, Lushnjës. Ky shërbim do të ofrohet nga e hëna deri ditën e shtunë, ndërkohë që deri më tani është ofruar nga e hëna në të premte. Orari i kryerjes së rezonancës magnetike do të shtyhet deri në orën 18.00. Për pacientët që do të duhet të udhëtojnë të kryejnë ekzaminimin do të planifikohet në orarin 10.00-14.00. Deri para pak kohëve, një pacient duhet të priste në radhë për të kryer rezonancën deri në 3 muaj. Organizimi i ri synon që koha e pritjes të pacientëve të mos kalojë më shumë se 1 muaj.
/red. th. m. portali “durreslajm.com”/