Përfundimi i afatit ligjor për regjistrimin e aplikimeve për t’u bërë pjesë e garës për zgjedhjet në organet e larta drejtuese të Universitetit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit ka përcaktuar edhe kandidatët që do të jenë në garë për rektor. Pranë Komisionit Institucional Zgjedhor të Universitetit "A. Moisiu" janë regjistruar kandidaturat e Prof. Elmas Lecit, Prof. Bardhyl Cekut dhe Prof. Kseanela Sotirofskit. Që të tre janë pjesë e stafit akademik të vetë Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit.

Kandidatët për rektor në garë

Që të tre kandidatët në garë për rektor, përveçse vijnë nga brenda stafit akademik të Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit, kanë edhe një përvojë të gjatë pune në këtë univeristet. Përjashtim këty bën Prof. Leci, i cili ka vetëm katër vite kontribut në Universitetin "A. Moisiu" të Durrësit. Ndërkohë, Prof. Ceku vjen pas dy mandatesh në drejtim të Fakultetit të Biznesit dhe një gare të humbur para katër vitesh për postin e rektorit. Pikërisht fakti se Prof. Ceku ka qenë një herë pjesë e kësaj gare dhe e ka hunbur atë mund t’i luajë negativisht atij, pasi ndoshta stafi akademik i Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit mund të kërkojë të shohë përpara me alternativa të reja. Prof. Sotirofski vjen pas një eksperience dhe kontributi të gjatë si në Fakultetin e Studimeve Profesionale dhe tani së fundmi, prej katër vitesh, edhe në drejtim të Fakultetit të Edukimit. Kjo e bën atë, duke qenë edhe më e re në moshë se sa dy kundërshtarët burra, të jetë një kandidate më energjike. Gjithsesi, deri më 20 prill, të tre kandidatët do të shpalosin platformat e tyre, dhe kjo padyshim që do të ndikojë tek zgjedhësit.

20 prill, zgjedhjet në universitetet publike

Në bazë të urdhërit të lëshuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, zgjedhjet për organet drejtuese të universiteteve publike do të zhvillohen më 20 prill. Pas nxjerrjes së urdhërit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar edhe rregulloren përkatëse, e cila do të drejtojë gjithë proçesin zgjedhor.

Organet drejtuese, të cilat do të zgjidhen më 20 prill janë:

  • Anëtarët e Senatit Akademik
  • Rektori
  • Dekani i Fakultetit të Biznesit
  • Përgjegjësit e pesë departamenteve të Fakultetit të Biznesit
  • Dekani i Fakultetit të Edukimit
  • Përgjegjësit e katër departamenteve të Fakultetit të Edukimit
  • Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale
  • Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Studimeve Profesionale
  • Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike
  • Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike
  • Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit
  • Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit
  • Dekani i Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën
  • Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën

Periudha e regjistrimit të aplikimeve për të kandiduar për postin e rektorit dhe të anëtarit të senatit akademik të Universitetit “A. Moisiu” të Durrësit përfundoi sot, në orën 16:00.

Ndërkohë, periudha e regjistrimit të aplikimeve për të kandiduar për postet e tjera vazhdon deri më 1 prill, në orën 16:00.

Kandidatët për postin e rektorit duhet të kenë patjetër titullin shkencor "profesor", ndërsa kandidatët për postin e dekanit duhet të kenë minimalisht titullin shkencor "profesor i asociuar". Ndërkohë, për postin e përgjegjësit të departamenteve duhet që kandidati të ketë minimalisht gradën shkencore "doktor i shkencave".

K. H.