Organet drejtuese të institucioneve publike të arsimit të lartë zgjidhen një herë çdo katër vjet. Parimisht, në zgjedhje votojnë stafi akademik dhe studentët. Por, jo të gjithë kanë të drejtë të votojnë për të zgjedhur të gjitha organet drejtuese, ndërkohë që edhe pesha e votës nuk është e njëjtë.
Universiteti "Aleksandër Moisiu" i Durrësit, duke qenë një universitet publik dhe subjekt i ligjit nr. 80/2015 "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë", zgjedhjet i zhvillon si të gjitha institucionet e tjera publike të arsimit të lartë, bazuar në ligjin e lartëpërmendur dhe në rregulloren përkatëse, që është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Zgjedhjet në Universitetin "A. Moisiu" të Durrësit dhe në të gjitha institucionet e tjera publike të arsimit të lartë zhvillohen më 20 prill.
Organet drejtuese të Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit, për të cilat do të votohet dhe që do të zgjidhen, janë:
- Anëtarët e Senatit Akademik
- Rektori
- Dekani i Fakultetit të Biznesit
- Përgjegjësit e pesë departamenteve të Fakultetit të Biznesit
- Dekani i Fakultetit të Edukimit
- Përgjegjësit e katër departamenteve të Fakultetit të Edukimit
- Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale
- Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Studimeve Profesionale
- Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike
- Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike
- Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit
- Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit
- Dekani i Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën
- Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën
Kush voton?
Në zgjedhje merr pjesë i gjithë stafi akademik, i punësuar me kohë të plotë. Përjashtohen nga kjo e drejtë ata anëtarë të veçantë stafit akademik që, për shkak të moshës, nuk kanë të drejtë të zgjidhen, por vijojnë të jenë të punësuar për shkak të titujve shkencorë që mbajnë.
Në zgjedhje marrin pjesë të gjithë studentët, e të gjitha ciklieve të studimit, që studiojnë me kohë të plotë.
Për çfarë votojnë?
Për zgjedhjen e anëtarëve, përfaqësues të stafit akademik, të Senatit Akademik të Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit votojnë të gjithë anëtarët e stafit akademik me të drejtë vote. Por, ata nuk votojnë për zgjedhjen e të gjithë anëtarëve. Statuti i Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit përcakton se secili fakultet përfaqësohet me të paktën dy anëtarë në Senatin Akademik. Në këto kushte, zgjedhja është e kufizuar brenda fakulteteve, ku stafi akademik i secilit fakultet zgjedh me votë përfaqësuesit e vet.
Anëtarë të Senatit Akademik të Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit janë edhe dy studentë, të cilët zgjidhen me votë nga të gjithë studentët.
Për zgjedhjen e rektorit të Universitetit "A. Moisiu" të Durrësit marrin pjesë i gjithë stafi akademik dhe të gjithë studentët me të drejtë vote.
Ndërkohë, për zgjedhjen e dekanëve të fakulteteve marrin pjesë vetëm stafi akademik dhe studentët me të drejtë vote, që janë të punësuar ose të regjistruar në atë fakultet.
Sa i përket zgjedhjes së përgjegjësve të departamenteve, në zgjedhje marrin pjesë dhe votojnë vetëm anëtarët e stafit akademik me të drejtë vote, që janë të punësuar pranë departamenteve respektive.
Pesha e votës
Numërimi i votave dhe shpallja e fituesit është e thjeshtë për rastet kur në zgjedhje marrin pjesë vetëm anëtarët e stafit akademik ose vetëm studentët.
Për rastet kur në zgjedhje marrin pjesë të dy trupat, siç është rasti i zgjedhjes së rektorit të universitetit dhe dekanit të fakultetit, pesha e votës nuk është e njëjtë. Në këto raste, vota e studentëve përfaqëson vetëm 10 përqind të totalit të përgjithshëm të votave.
N. H.





