Komisionet zgjedhore të gjashtë fakulteteve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, pas përfundimit të afatit prej pesë ditësh, kanë mbyllur procesin e pranimit të kërkesave për të kandiduar për postet e dekanëve dhe të përgjegjësave të departamenteve. Ndërkohë, pranë Komisionit Institucional Zgjedhor të Universitetit “A. Moisiu” mësohet se shpallja e kandidaturave zyrtare do të bëhet në një moment tjetër, ndoshta nesër ose pasnesër, pasi duhet verifikuar i gjithë dokumentacioni i aplikantëve. Për këtë arsye, kuadri ligjor ka lënë edhe 48 orë afat nga mbyllja e pranimit të kërkesave deri në shpalljen e kandidaturave zyrtare.

Pse nevojiten 48 orë deri në shpalljen e kandidaturave zyrtare

Në rastin e kandidatëve për dekanë, kuadri ligjor përcakton se ata duhet të kënë minimalisht titullin “profesor i asociuar”, ndërkohë që padyshim që mund të kandidojnë edhe ata që kanë titullin “profesor”. Sa i përket kandidatëve për përgjegjësa departamentesh, kuadri ligjor përcakton se ata duhet të kenë minimalisht gradën shkencore “doktor i shkencave”.

Por, për t’iu dhënë përparësi kandidatëve me kualifikimin më të lartë, kuadri ligjor detyron përjashtimin e disa aplikantëve.

Pranë Komisionit Institucional Zgjedhor mësohet se kriteret janë shumë të përshkallëzuara. Në këto kushte, nëse dikush nga aplikantët për një post drejtues ka titullin “profesor” ose “profesor i asociuar”, edhe sikur ky të jetë një i vetëm, aplikantët e tjerë me gradën shkencore “doktor i shkencave” përjashtohen automatikisht nga gara. Ndërkohë, nëse nuk ka aplikantë me titullin “profesor” ose “profesor i asociuar”, përsëri mes aplikantëve me gradën shkencore “doktor i shkencave” ka diferencime. Përparësi u jepet atyre aplikantëve që gradën shkencore “doktor i shkencave” e kanë fituar në një prej universiteteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ose të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Pranë Komisionit Institucional Zgjedhor të Universitetit “A. Moisiu” bëjnë të ditur se pikërisht për shkak të procesit të komplikuar të përzgjedhjes së kandidaturave zyrtare, shpallja e tyre do të marrë një ose dy ditë kohë.

Më herët, Komisioni Institucional Zgjedhor i Univeristetit “A. Moisiu” shpalli kandidaturat zyrtare për rektor, që janë Prof. Bardhyl Ceku, Prof. Elmas Leci dhe Prof. Kseanela Sotirofski. Njëkohësisht, janë shpallur edhe kandidaturat për anëtarë të Senatit Akademik të Universitetit “A. Moisiu”.

N. H.