Durrës, 17 qershor 2014 – Hetimet për vrasjen e bisnesmenit Kujtim Dyrmishi, ngjarje kjo e regjistruar paraditen e së shtunës në plazhin e Durrësit, janë shtrirë edhe në Elbasan.

Sipas “Panorama”, grupi hetimor ka kërkuar bashkëpunimin e Policisë së Elbasanit për të mbledhur informacione dhe për të kryer verifikime përsa i takon masakrës së 17 viteve më parë, për të cilën policia ka dyshime se ishte i përfshirë edhe viktima Dyrmishi.

Gjithashtu, hetuesit po përpiqen që me provat materiale të siguruara në rrugë operative të evidentojnë ndonjë të dyshuar të mundshëm. Mësohet se rreth 5-6 vite më parë, 49-vjeçari ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë në Itali së bashku me të vëllain Pëllumbin, që po vuan aktualisht dënimin në Greqi, për vrasjen e një bashkëkombasi të tij.

Ndonëse i dyshuar për implikimin në masakrën e 6- fishtë në vitin 1997 në Elbasan, policia dyshon se Kujtim Dyrmishi mund të jetë eliminuar për larje hesapesh, pasi ka qenë i përfshirë në grupe të ndryshme kriminale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/