Durrës, 25 korrik 2014 – Dy vajza adoleshente janë larguar nga shtëpia duke vënë në alarm nënën e tyre që është drejtuar menjëherë në polici për ndihmë.
42 vjeçarja L.M., banuese në Laç, ka deklaruar para uniformave blu të Durrësit se dy vajzat e saj adoleshente, R.M., 19 vjeçe dhe A.M., 15 vjeçe janë larguar nga banesa nw Durrës rreth mesditës së të enjtes dhe më pas nuk janë lidhur më në telefon me nënën e tyre.
42 vjeçarja, pasi i ka kërkuar për një kohë të gjatë vajzat, ka bërë denoncimin për zhdukjen e tyre në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ajo i trembet faktit se vajzat mund të bien pre e ndonjë grupi trafikimi qeniesh njerëzore. Ndërkohë policia ka nisur punën për lokalizimin e vendndodhjes së dy adoleshenteve dhe kthimin e tyre pranë familjes.
Po gjatë ditës së djeshme, në komisariatin e policisë së Shijakut, një banore e fshatit Radë ka denoncuar largimin nga shtëpia të kunatit të saj, shtetasit I.K., 42 vjeç.
Pas marrjes së denoncimit, efektivët e rendit e kanë shpallur në kërkim 42 vjeçarin.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





