14 gusht 2015 – Forcat e policisë së Shijakut janë vënë në kërkim të një vajze 26 vjeçe nga Manza, pasi është larguar nga banesa pa lajmëruar askënd dhe nuk është kthyer më.
Denoncimin për zhdukjen e të resë me iniciale E.S., e bëri bashkëshorti i saj, shtetasi A.S., 40 vjeç. I shqetësuar për fatin e gruas së tij, 40-vjeçari ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e të shoqes. Burime nga blutë e Durrësit bëjnë me dije se e reja nga Manza është larguar para 4 ditësh, më 10 gusht, ndërsa kallëzimi në Komisariatin e Shijakut është bërë vetëm një ditë më parë.
Nuk dihet ende nëse e reja është larguar me dëshirën e saj dhe nuk ka dashur të kthehet sërish pas një plani të mirëmenduar, apo mund t’i ketë ndodhur diçka misterioze.
Ndërkohë që kërkimet vijojnë, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/