Punimet e shumta që janë kryer vitet e fundit në Porto Romano të Durrësit, me zgjerimin e territorit në portin e karburanteve dhe ndërtimin e një porti të ri nga investitorë privatë, kanë bërë që në pjesën veriore të kodrës të dëmtohen muri rrethues si dhe lapidari përkujtimor që ishte ngritur si kujtesë për “Qëndresën që luftëtarët shqiptarë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit organizuan gjatë viteve 1942-1943 kundër pushtuesve fashistë në kampin e përqendrimit, i ndërtuar për këtë qëllim në Porto Romano”.
Lapidari në fjalë tashmë është zhdukur dhe një gjë e tillë është denoncuar nga Ing. Kristaq Prifti, i cili kërkon që lapidari bashkë me sheshin të rindërtohen nga e para, pasi është pjesë e historisë së popullit tonë dhe rezistencës antifashiste.

Shkrimi i plotë marrë nga Gazeta Telegraf:
Porto-Romano është lagja më skajore në veri të Durrësit, pak kilometra larg nga qyteti. Ajo ka një histori të lashtë prej afro 17 shekuj. Ky toponim është i njohur si pikë referimi në shumë harta sidomos detare të Europës.
Në këtë vend të atdheut tonë të lashtë, gjatë Luftës së II-të Botërore fashistët italianë ngritën kampin famëkeq të internimit të kundërshtarëve të tyre; Në këtë kamp kanë qenë internuar jo vetëm luftëtarët shqiptarë për liri, por nga i gjithë Ballkani, prandaj edhe është quajtur kampi ndërballkanik i përqëndrimit. Ai i siguronte pushtuesve izolim të plotë të atyre që ishin brenda kampit. Edhe nazistët gjermanë e shfrytëzuan kampin me më shumë egërsi ndaj të burgosurve. Në tetor të vitit 1943 gjermanët bënë aksionin e tyre të evakuimit të plotë të qytetit të Durrësit. Në qytet mbetën vetëm pushtuesit dhe qentë e rrugëve.
Kjo ishte pasojë e luftës dhe e rezistencës që bënte i gjithë populli shqiptar. Aksionet e shumta të partizanëve në rrethinat e qytetit dhe aksionet e njësiteve guerrile brenda në qytet bënë që armikut t’i digjej toka nën këmbë.
Ky kamp për egërsinë e pushtuesve dhe sakrificat e luftëtarëve ndaj nazi-fashizmit është quajtur kampi i mbijetesës. Aty vuajtën, sakrifikuan e dhanë jetën shumë luftëtarë për lirinë e atdheut. Ky vend mbart një pjesë të historisë tragjike të të internuarve. Tashmë kanë mbetur fare pak apo aspak dëshmitarë të asaj kohe. Në përkujtim të tyre është bërë edhe një film artistik. Për historikun e këtij kampi kanë shkruar shumë media e historian apo ish partizanë.
Tashmë jemi në 80 vjetorin e fitores në luftën kundër nazifashizmit, por si kanë rrjedhur ngjarjet në historinë e këtij kampi? Në përkujtim të të gjithë atyre që luftuan e sakrifikuan, apo vdiqën në këtë kamp, brenda territorit të ish kampit u ngrit një lapidar përkujtimor. Në këtë lapidar kishte mbishkrimin “LUFTËTARËVE TRIMA NGA SHQIPËRIA DHE VENDE TË TJERA TË BALLKANIT QË NËN UDHËHEQJEN E PATRIOTËVE MË 1942-1943 ORGANIZUAN QËNDRESËN ANTIFASHISTE NË KAMPIN E PËRQËNDRIMIT 402/0”
Deri në vitet 90 aty çdo gjë lulëzonte e monumenti mirëmbahej. Ai ishte një vend pelegrinazhi ku organizoheshin përkujtimore e ku të rinjtë të organizuar vizitonin monumentin e edukoheshin me ndjenja patriotike e atdhetare. Çmenduria që shpërtheu mbas viteve 90 solli dëmtimin e monumentit. Në fillim u vodhën mbishkrimet prej bronzi, pllakat e pastaj u la në mëshirë të fatit.
Megjithatë, veteranët e pasardhësit e tyre në Durrës, me forcat e veta bënë një restaurim të tij, dhe aty filloi të valëvitej përsëri flamuri kombëtar.
A nuk është kënaqësi për të gjithë flamuri kombëtar?
Por historia vazhdon në mënyrë tragjike. Konçesionari i Portit rrafshoi gjithçka. Ai prishi “Muret e Portës” nga e ka marrë emrin dhe zhduku monumentin në përkujtim të Luftëtarëve të Lirisë.
Personat përgjegjës dhe qeveritarët bënë qorrin e shurdh-memecin. Inspektioriati Kombëtar, Inspektioriati i Bashkisë së Durrësit dhe Policia e Shtetit nuk ndërhynë për këto monumente kulturore-historike.
Përpjekjet e Organizatës së Veretanëve Durrës për mbrojtjen e monumentit u përçmuan. Në kërkesat për të taksuar personat përgjegjës, merrnin përgjigje lakonike, “nuk janë këtu, janë në det?!” Përpjekjet qenë të vazhdueshme, por tani atje sheh vetëm një shesh parkimi për automjete.
Mirëkuptojmë, mirëpresim e përkrahim gjithçka në zhvillimin e ekonomisë e të vendit tonë. Jeta evoluon e kohët ndryshojnë. Kjo ndodh kudo, edhe në Europë ku ne kërkojmë të integrohemi, por atje nuk zhdukin monumente kulturore apo historike, përkundrazi gjejnë zgjidhje më optimale. Në këto kushte OVP Durrës filloi përpjekjet për ringritjen e monumentit të rezistencës, në afërsi të vendit të mëparshëm. Përgjigjet janë të çuditshme, burokratike, për të mos thënë të neveritshme, se konçesionari e ka marrë për 35 vjet dhe nuk mund të bëjmë gjë.
Si mund të ndodhë të marrësh me konçension historikun e ngjarjet e luftës?! Të marrësh me konçension nuk do të thotë të zhdukësh e të shkatërrosh, por të ndërtosh e të përmirësosh. Po monumentin kush e dha me konçension, pse u shkatërrua me vandalizëm pa u pyetur njeri? edhe kjo ishte PRONË?!
Letrat e kërkesat vazhdojnë të bien në vesh të shurdhët e nuk marrin përgjigje. Në kushtet e konçensionit, propozuam që të ringrihej Monumenti në rreth rrotullimin pranë ish kampit të Përqëndrimit me një diametër mbi 50m. Edhe rruga e rreth rrotullimi janë pjesë e konçesionarit?! E pamundur.
Ngritja e një monumenti obelisk në këtë rreth rrotullim nuk duhet të ketë asnjë pengesë. Shembujt janë të shumtë se ngritja e një monumenti me diametër 1m në një rreth rrotullim mbi 50m, nuk cënon fushë pamjen për qarkullimin e mjeteve, koordinatat e të cilit mund të vendosen me specialistë urbanistë. Gjithçka është e bllokuar, heshtje varri, asgjë nuk lëviz. Mendojmë se një qëndrim më patriotik e atdhetar duhet t’i japë zgjidhje ngritjes së Monumentit në Porto-Romano.
Porto-Romano ka një histori që na bën krenarë. Të tjerët nuk i kanë e i krijojnë, ne i kemi e duam ta zhdukim? Historia e njerëzimit është më së shumti histori luftërash. Edhe populli shqiptar në shekuj ka luftuar. E tani spikat si më e lavdishme lufta nacional-çlirimtare e popullit shqiptar.
Kampi nazi-fashist i përqëndrimit është unikal. Në një vend kaq të vogël me kaq pak popullsi, lufta ishte kaq e egër dhe e ashpër sa armiqtë u detyruan të ngrejnë kamp përqëndrimi. Pse të flasim për Mat’h-hausen, Dakau etj… e të mos flasim për historinë e Porto-Romanos. Tashmë atje po ngrihet Porti i mallrave, që edhe ai do të jetë ndërkombëtar. Të gjithë të huajt që do të kalojnë e lëvrojnë mallra në këtë Port, duhet të dinë edhe historinë e lavdishme të atij trualli Konçensionari, e të gjithë ato që do të punojnë aty duhet të dijnë se ato e gëzojnë e fitojnë në atë port, se të tjerët që duhen kujtuar, nderuar e respektuar dhanë jetën për këtë vend.
Monumenti përkujtimor i Kampit të Përqëndrimit në Porto-Romano mund të bëhet një atraksion turistik, po aq i vlefshëm sa objektet e lashtësisë të Durrësit. Ky monument le të bëhet shkas për të pasuruar “dekorin historik” të Durrësit. Monumenti është kujtesë për vlerat e lirisë së atdheut, që të na edukojë me atdhe dashuri e patriotizëm për mbrojtjen e atdheut; Bota prapë po zien nga konfliktet, e dy luftra janë prezente, Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë. Të mos e harrojmë thirrjen e famshme: “Popuj, jini vigjilentë”.
Në përfundim theksojmë se do të mirëkuptohet nga organet përkatëse. Atdheu nuk është vetëm i OVP, është i të gjithëve. Është përsëritur se atdheu dhe liria nuk kanë ngjyra patriotike? Sistemet politike përmbajnë pluralizëm mendimesh e pluri partitizëm. Për atdheun nuk mund të ketë pluripatriotizëm. Atdheu është një. Patriot ose je, ose nuk je. Atdheun e duan të gjithë, të majtë e të djathtë. Të mobilizohemi të gjithë ta ngrejmë sa më parë këtë “MONUMENT”. Në radhë të parë detyrimin e kanë pushtetarë qeveritarë e konçensionarë.

Në petkun e luftës kundër komunizmit mos shkatërroni vlerat e lavdishme historike të atdheut. Mos kini frikë. Mos paragjykoni shpirtin dhe gjakun e atyre që luftuan e ranë 80 vjet më parë, se ato nuk e dinin se çdo të ndodhte pas viteve 45, as pas viteve 90, ato nuk e dinin se do të vinit ju në pushtet, ato luftuan e sakrifikuan për ideale më të shenjta se karrigia e pushtetit. Populli është patriot, e më shumë do t’ju votojë. Korrigjoni ato që janë bërë gabim. Mos lejoni që pushtetarë, me mllefe nga e kaluara, bashkëpunëtorë me armikun e tradhtarë të atdheut, që deri dje ankoheshin për deformim të historisë tani duan ta mohojnë e ta falsifikojnë atë.
Punoni që të mbeteni në histori si patriot. Ngrijeni Monumentin e Kampit të përqëndrimit në Porto Romano, më madhështor e më bashkëkohor.
Jepini Lavdi atdheut Tuaj.