DURRES – Zhduket në mënyrë misterioze një 13-vjeçar nga Durrësi. Familja e të miturit ka humbur çdo kontakt me djalin e tyre Albjon Daja, që nga dita e hënë e kësaj jave dhe janë në ankth për fatin e tij. 13 vjeçari, banor i lagjes nr.14 të Durrësit është nisur nga shtëpia si çdo ditë, në mëngjes herët, për të shkuar në shkollë dhe që nga ajo kohë familjarët e tij nuk dinë më asgjë për të.
Sipas disa dëshmitarëve, Albjoni i vogël është parë rreth orës 10.00 të së hënës në afërsi të Urës së Dajlanit, por më pas askush nuk di të thotë se ku ka përfunduar fëmija i vogël. Babai i tij, Genc Daja, ndërsa trembet për më të keqen deklaron për Durrëslajm.com se familja e tij nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe nuk di ta shpjegojë arsyen e një mungese kaq të gjatë në shtëpi të djalin të tij 13 vjeçar. Ai deklaron se ka vënë në dispozicion të kujtdo që mund ta ketë parë Albjonin numrin e telefonit 068 64 87 235.
Sipas babait të djalit, Albjoni është një djalë i qetë dhe asnjëherë nuk u ka krijuar probleme si dhe nuk është larguar ndonjëherë nga shtëpia pa lajmëruar. Familja e 13 vjeçarit ka denoncuar në polici zhdukjen e tij dhe njëkohësisht ka kërkuar tek të afërmit, edhe në qytete të tjera, nëse djali 13 vjeçar ka shkuar për të bujtur tek ata. Por fatkeqësisht askush nuk di gjë se ku mund të jetë i mituri.
Familja i trembet ndonjë rrëmbimi, pasi 13 vjeçari para se të zhdukej ka lënë çantën me libra në dyqanin e një komshiu duke i thënë t’i mbante aty për pak, pasi do shkonte në Durrës, të takonte disa të afërm të tij. Kjo është hera e fundit që Albjoni është parë nga njerëz që e njihnin. Më pas misteri mbulon fatin e tij.
Burime pranë policisë së Durrësit bëjnë të ditur se janë mbledhur informacione dhe dëshmi nga shumë persona që e njohin djalin e vogël, si dhe nga shokët e tij të shkollës dhe po punohet për të hedhur dritë mbi vendndodhjen e tij. Policia është duke hetuar në disa pista si dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha komisariatet e vendit, ku është shpërndarë fotoja e Albjon Dajës.
Rreth dy muaj më parë, një tjetër fëmijë i vogël u zhduk në mënyrë të mistershme dhe ende sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e 10 vjeçarit Julian Çela. Në atë kohë u fol se zhdukja e fëmijës mund të kishte lidhje me profesionin e të atit, i cili punon pranë SHISH dhe po hetonte lidhur me vrasjen e shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror Isa Çopa. Ndërkohë policia mbështeste variantin e një largimi me dëshirë të Julianit të vogël. Ende sot e kësaj dite fati i 10 vjeçarit nuk është zbardhur ende.





