Lulishtja në hyrje të Durrësit merr emrin “Parku Moikom Zeqo”.

Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, përfaqësues të institucioneve vendore, familjarë, miq dhe ish-deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku e pranishme ishte edhe bashkëshortja e akademikut, Lida Miraj.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, këshilltarët e pranishëm miratuan në unanimitet kërkesën që lulishtja pranë stacionit të trenit në Durrës të marrë emrin “Parku Moikom Zeqo”, në shenjë respekti dhe vlerësimi për këtë personalitet të shquar të kulturës dhe letrave shqipe.

Gjatë ceremonisë, në shenjë nderimi për këtë figurë të ndarë nga jeta pak vite më parë u mboll edhe një pemë ulliri.

Kush ishte Moikom Zeqo

U lind më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit në një familje me prejardhje nga Libohova, familja i vunë emrin Molotov. Arsimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në qytetin e Durrësit . Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Fakulteti i Filologjisë dhe Gjuhës Shqipe, më 1971 në degën Gjuhë-Letërsi.

Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më 1977 zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror të BRPSH.

Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës.

Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i madh”.

Që prej rinisë së hershme deri në ditët e fundme të jetës Moikom Zeqo ishte i pranishëm në shtypin e shkruar, me mendimin dhe kulturën e tij të gjerë. Ai është autor i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit si dhe të një numri skenarësh për filma.

Libra të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Moikom Zeqo ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e historisë dhe arkeologjisë duke përfaqësuar me dinjitet vendin tonë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare. Ai ka punuar shumë në drejtim të zbulimit dhe evidentimit të vlerave tremijëvjeçare të qytetit antik të Durrësit.

Ne oret e para te 15 qershorit 2020, ndërroi jetë në moshën 71-vjecare pas nje lufte disa vjecçare me sëmundjen leucemi kronike.