Drejtoria e Shërbimeve Sociale e Bashkisë Durrës, ka zhvilluar dëgjesën publike me qëllim prezantimin e projekteve, investimeve dhe shërbimeve që Bashkia ka parashikuar të zbatojë në kuadër të buxhetit afatmesëm 2018-2020, për programin “Strehimi dhe Shërbimet Sociale”.

Kështu, dëgjesa publike është zhvilluar në Sallën e Këshillit Bashkiak, Durrës. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, përfaqësues nga shoqëria civile, nga Shoqata e Para-Tetraplegjikeve, përfaqësues nga Komisionet e Këshillit Bashkiak, studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, përfaqësues të komuniteteve vulnerabël si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Politikave të Zhvillimit/Bashkia Durrës.

Dëgjesa publike u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Lindita Oshafi, Eksperte e vendore/ISB, e cila u ndal në qëllimin dhe rëndësinë e dëgjesave publike. Më pas fjalën e mori Meme Xhaferaj, Drejtore e Shërbimit Social, e cila bëri një pasqyrë të situatës aktuale, detyrave dhe përgjegjësive të pushtetit vendor sipas ligjit të ri për vetëqeverisjen vendore. Xhaferaj prezantoi dhe informoi pjesëmarrësit mbi Planin Social që Drejtoria e Shërbimit Social ka hartuar dhe pritet të zbatojë për periudhën 2017-2020.

Gjatë takimit, Xhaferaj prezantoi edhe më në detaje draft-buxhetin e Drejtorisë së Shërbimit Social për vitet 2017-2020. Në këtë draft planifikohet një rritje nga viti në vit i buxhetit të drejtorisë si në kuadër të skemave aktuale të ndihmës ekonomike dhe punës komunitare, ashtu edhe në ngritjen e shërbimeve të reja, siç janë shërbimet emergjente për fëmijët në situatë rruge, shërbimet komunitare për familjen në Rrashbull, dhe shërbimet alternative për personat me aftësi të kufizuar dhe moshen e tretë. Krahas buxhetit të Bashkisë, për zbatimin e këtij Plani do të ofrohet edhe mbështetja e vazhdueshme e donatorëve vendas dhe të huaj, të cilët duke bashkëfinancuar këtë plan do të bëjnë të mundur realizimin e projekteve të përbashkëta.

Gjithashtu, gjatë takimeve u ngritën disa çështje për diskutim, kryesisht në lidhje me ngritjen e Qendrës Rinore në qytetin e Durrësit, rëndësinë e shtrirjes së shërbimeve në njësitë e reja administrative që i janë bashkëngjitur territorit të Bashkisë Durrës, rikonstruksionin e ambienteve të shoqatës së Para –Tetraplegjikeve, ngritjen e një qendre tjetër komunitare në Durrës të ngjashme me atë që funksionon në Nishtulla etj.