Sot u zhvillua mbledhja e dytë e Komitetit Rajonal për Zhvillimin e Turizmit, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Durrës Roland Nasto, ku ishin të pranishëm drejtues të Institucioneve Vendore si dhe Degëve Territoriale anëtarë të ketij komiteti si dhe struktura të tjera mbështetëse mbi menenaxhimin e sezonit turistik veror 2020.
Në fjalën e tij, Prefekti e vuri theksin në këto pika kryesore:
1. Vlerësimin dhe zbatimin e të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore, rregullave dhe protokolleve të sigurisë ndaj Covid 19 të dala nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirqënies Sociale si dhe Task Forca e ngritur për këtë qëllim.
2. Vlerësim dhe angazhim i Stukturave të Policisë së Shtetit, Policisë Kufitare dhe Migracionit, Policisë Bashkiake në lidhje me rendin dhe sigurinë në tërësi dhe në mënyrë specifike angazhim maksimal për ecurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik në qarkun tonë.
3. Angazhim të strukturave Portuale (Autoritetit Portual, Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, Kapitenerisë së Portit, Rregjistrit Detar, Drejtorisë së Doganave, AFTO-s etj në krikimin e të gjitha kushteve për menaxhimin e fluksit të udhëtarëve dhe mjeteve që hyjnë dhe dalin në porti detar Durrës.
4. Garantimin e ofrimit të shërbimit shëndetësor 24 orë në 24.
5. Vëmendje të shtuar duhet të ketë Dr.R.Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e cila si masë kryesore për një sezon turistik të sigurtë në bashkëpunim dhe me strukturat e tjera, duhet të bëjë vazhdimisht dezinfektimin e zonave turistike.
6. Drejtoria e Spitalit Rajonal Durrës duhet të ketë gjithnjë në efiçensë Shërbimin e Urgjencës si dhe ofrimin e shërbimit në Qëndrat Shëndetësore verore.
7. Sigurimi i furnizimit me energji elektrike 24 orë në 24 dhe furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë zonën turistike.
8. Formalizimi sa më i shpejtë i stacioneve të plazhit sipas Vendimit të Këshillit të Ministratve Nr.424, datë 27.5.2020 “Për një shtesë në vendimin nr.171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.
9. Ngritja e Task Forcës “Për monitorimin dhe kontrollin e masave për zbatimin e detyrimeve ligjore për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik veror” si dhe vazhdimi i kontrolleve dhe inspektimeve nga Task-Forca në kuadër të mos përhapjes së COVID-19 dhe zbatimit të protokolleve (kjo e fundit me pjesmarrjen e ISHSH si kryesore në bashkëpunim me AKU, Inspektoratin e Punës, dhe Policinë e Shtetit etj)
Për të pasur një ecuri sa më të mirë dhe të sigurt të sezonit turisik veror, kërkohet angazhimi i bashkive dhe në mënyrë specifike i të gjithë drejtorive mbështetëse.
Duke filluar nga dita e shtunë, 11.07.2020 fillon puna në terren e TASK – FORCËS “Për monitorimin dhe kontrollin e masave për zbatimin e detyrimeve ligjore për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik veror 2020.
Nga të pranishmit u bë një panoramë e masave të marra në të njëjtën kohë u analizuan të gjitha problematikat e dala përgjatë sezonit të kaluar turistik.
Në këtë takim nga ana e Prefektit u kërkua krijimi i urave të bashkëpunimit për gjetjen e zgjidhjeve të reja në funksion të garantimit të kushteve, sigurisë, qetësisë dhe standardeve të larta për çdo vizitor dhe turist!
Në përfundim Prefekti konfirmoi ndarjen e detyrave si dhe u përcaktuan grupet e punës, të cilët në ditët e ardhshme do të vijojnë të kryejë kontrolle specifike në terren.





