Në ambientet e shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela ” në Durrës u zhvillua panairi i aftësive të nxënësve, ku u prezantuan disa prej projekteve dhe punimeve më të mira. Mes tyre evidentohen ato të degëve të informatikës, automekanikës, elektro-teknikes dhe hidraulikes.
Spikatin mes këtyre projekteve ai i energjisë së rinovueshme, sistemi dixhital i vaditjes i vënë në funksion në shkollë si dhe projektet për inovacionin, mos braktisjen e shkollës etj.
Shkolla “Beqir Çela” është akredituar këtë vit dhe falë investimeve dhe projekteve që po zbatohen do të kthehet në një kampus të arsimit profesional dhe qendër ekselence.
“Shkolla “Beqir Çela” tashmë është një nga shkollat e para të optimizuara në Shqipëri për rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë. Ajo është 5 shkollat e para të arsimit profesional të akredituara për të gjitha programet e saj arsimore, çka i jep avantazhin nxënësve tanë të përballen me tregun e punës jo vetëm brenda vendit, por edhe në çdo vend tjetër të botës”,- thotë drejtori i saj Fatmir Mërkuri.
Pas përfundimit të ndërtimit të shkollës së re dhe palestrës po përfundon dhe investimi për ndërtimin e bazës prodhuese me 32 laboratorë si dhe po vijojnë punimet për ndërtimin e konviktit të ri.
Shkolla profesionale “Beqir Çela” është përfshirë dhe në projekte të tjera madhore si ai gjerman me GIZ, projekti me RCF për energjinë e rinovueshme etj. Në kuadër të optimizimit të arsimit profesional po funksionon dhe përfshirja e shkollës profesionale “26 Marsi” në Kavajë në strukturën e shkollës profesionale “Beqir Çela”.