DURRES – Zhvillohet sot në mesditë seanca e rradhës e gjyqit ndaj 80 vjeçarit Shaban Norja. Tre muaj më parë i moshuari tronditi opinionin publik, kur u zbulua se ishte ai vrasësi dhe masakruesi i kufomës së 18-vjeçares Ajshe Vata, e cila ishte 3 muajshe shtatzënë.
Në seancën e parë të gjyqit ndaj tij Norja është shfaqur i qetë dhe me jelek antiplumb në sallën e gjyqit. Avokati mbrojtës i tij, Osman Dashi, ka kërkuar gjykim të shkurtuar për vrasësin e Vatës. Dashi ka deklaruar se Norja është thellësisht i penduar për krimin e kryer.
Ndaj Norjes rëndon akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Ai rrezikon të dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, nëse gjykata e Durrësit nuk do të marrë parasysh kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar.
Në 11 tetor të vitit të kaluar, në një arë me misër u zbulua trupi pa kokë i 18 vjeçares Ajshe Vata. Norja dhe viktima kishin një lidhje dashurore, që zgjaste prej disa vitesh. Ai ka pranuar se ishte babai i fetusit tre muajsh, ndërkohë që pas arrestimit ka deklaruar se vajza nuk kishte pranuar të abortonte dhe i ishte lutur 3 ditë me rradhë për ta vrarë, sepse nuk përballonte dot turpin.





