Durrës, 22 korrik 2014 – Një grindje për motive të dobëta mes dy shtetasve nga Durrësi është mbyllur me dy të plagosur lehtë dhe një lokal të shkatërruar.
Grindja mes dy shtetasve, 26 vjeçarit R.S., pronar i një lokali në zonën e Shkozetit, dhe të riut E.A. ka degjeneruar deri në konflikt fizik. Mësohet nga burime policore se pronari i lokalit e ka rrahur të riun durrsak në orët e vona të natës së dielës.
Në këto kushte, i riu ka marrë në telefon vëllain e tij 20 vjeçar E.A. (të dy vëllezërit kanë iniciale të njëjta), i cili nuk ka vonuar të mbërrijë në lokal.
Kur ka parë vëllanë e tij të goditur me mjete të forta, 20 vjeçari nuk ka duruar, por i është sulur pronarit të lokalit dhe ka nisur ta godasë me grushta.
Duket se kjo nuk i ka mjaftuar, por ka marrë edhe gurë me të cilët ka goditur xhamat e lokalit të 26 vjeçarit R.S.
Në këtë kohë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e rendit që janë lajmëruar nga banorët e lagjes për gjithçka po ndodhte.
Pasi kanë marrë dëshmitë e rastit, efektivët e rendit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 20 vjeçarin E.A., që akuzohet për “Plagosje të lehtë me dashje” dhe ”Shkatërrim prone” si dhe ndaj shtetasit R.S.i akuzuar për “Plagosje e lehtë me dashje”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





