Një pajisje elektroshtëpiake ka marë zjarr para pak minutash në një banesë në Shkozet të Durrësit. Zjarri ka rrezikuar që të përhapet dhe të shkaktojë dëme të shumta në banesë, por situata është mbajtur nën kontroll.

Banorët e shtëpisë ku ra zjarri kanë njoftuar stacionin zjarrfikës të qytetit për ndihmë, të cilët janë nisur menjëherë në vendngjarje. Rruga nga stacioni deri në Shkozet nuk është shumë e gjatë, por trafiku dhe sidomos mosrespektimi i sinjalistikës zanore (në këtë ndaj mjeteve zjarrfikëse) nga ana e drejtuesve të automjeteve, ka bërë që zjarri të fiket nga vetë banorët.

Mësohet se një 28-vjeçar ka pësuar dëmtime të lehta në dorë në përpjekje për të fikur flakët. Drejtues të stacionit zjarrfikës në Durrës kanë bërë vazhdimisht apel që drejtuesit e automjeteve t’i lirojnë menjëherë rrugën mjeteve zjarrfikëse sapo dëgjohen sinjalizimet e tyre.

Një gjë e tillë mund të rezultojë fatale në rastet e zjarreve me përmasave më të mëdha ku kërkohet ndërhyrja ekipeve të specializuara për shuarjen e tyre.