27 prill 2015 – Një shtëpi private është përfshirë nga një zjarr masiv ditën e sotme në  zonën pas Muzeut Historik në qytetin e Durrësit.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta zjarrfikëse, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve të zjarrit, por për shkak të terrenit të vështirë kodrinor dhe rrugës së ngushtë në të cilën ndodhet shtëpia, puna e punonjësve të zjarrfikëses vështirësohet.

Banesa e përfshirë nga flakët është e shtetasit, Hysni Bushi, 66 vjeç, i cili jetonte aty së bashku me gruan e tij. Familjarët në momentin e shpërthimit të zjarrit nuk ndodheshin në banesë, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, teksa mësohet se banorët e shtëpive përreth janë evakuuar për shkak të ndonjë shpërthimi të mundshëm.

Deri më tani nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, por paraprakisht dyshohet se mund të ketë qenë një bombul gazi shkaktari i gjithçkaje.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/