Durrës, 23 korrik 2014 – Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e qytetit bregdetar, ndaj kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, mesditën e sotme.
Sipas kësaj zyre, kryebashkiaku Dako akuzohet për dhënie leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin (buzë detit, në rërë 15 metra larg detit), dhënien e plotë të Plazhit Publik për ta tjetërsuar në Plazhin Privat Durrës dhe mungesën e shërbimit të sigurisë në plazhe që nga 2008, kur ishin ngritur 10 kullat e rojes detare, të cilat dy vjet më parë u zhdukën për t’u përdorur për skrap.
Sipas kreut të ZMK-së, Altin Goxhaj, i cili ka qenë vetë sot në plazhin e Durrësit, plazhi është kthyer në 100% privat.
Në postimin e tij në Facebook, Goxhaj e shoqëron edhe me foto inisiativën e ndërmarrë nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku në mënyrë simbolike, në afërsi të urës së Dajlanit është vendosur një tabelë ku shkruhet: "Plazh privat Durrës, nga porti deri ne Qerret, 15 km".
Foton e vendosjes së tabelës, Goxhaj e shoqëron edhe me postimin: “Selfie (si Piktori) pas vendosjes nga une te tabeles se re (sipas standardeve nderkombetare te sinjalistikes turistike) qe kishte harruar te vendoste Bashkia Durres: "PLAZHI PRIVAT DURRES: nga Porti deri ne Qerret (15km)" Jo per gje, po ska me Plazh Publik… i perket te shkuares! Gjushi mendon per ju”.
Në të njëjtën kohë, Goxhaj ka postuar edhe një fotomontazh, ku në të majtë shfaqet në atë kohë kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama me sëpatë në dorë, ndërsa në të djathtë Goxhaj duke vendosur tabelën.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





