DURRËS, 21 maj 2015 – Pragfushata elektorale të jep përshtypjen se është disi “e përgjumur”. E majta dhe e djathta bregdetare po tregohen të matura dhe po punojnë të evidentojnë, më shumë se epërsitë, disavantazhet brenda “shtëpive” të tyre. Këto “zona të errëta” ndikohen së tepërmi edhe nga forcat e fuqishme ekonomike, të cilat sondojnë se me kë përfitojnë më shumë, me Vangjush Dakon apo Grida-Shqinën.

SHUMICA QEVERISËSE

LSI-ja tregohet shumë aktive në fushatë, pasi po bie në sy një dukuri interesante: po punohet më shumë për listat e këshilltarëve dhe nuk bëhet propagandë ndaj kandidatit të përbashkët për kryetar bashkie. Me sa duket, LSI ka në plan të forcohet në parlamentin e qytetit dhe të shtojë radhët për betejën e 2017-ës. Lihet të nënkuptohet se një pjesë e LSI-së nën ndikimin e Ministrit Lefter Koka nuk e ka problem nëse elektorati i majtë (përfshirë dhe socialistët e pakënaqur) nuk voton Vangjush Dakon, por votat si subjekt t’i marrë ajo. Qarkullojnë zëra se 30-40 për qind e anëtarësisë së LSI-së mund të votojnë Grida Duma-Shqinën, qoftë dhe për faktin se grupi i fuqishëm ekonomik Koka-Duka mund të përfitojë më shumë nga e djathta sesa nga Dakoja, që e ka treguar se nuk u bën lëshim, për më tepër kur flitet për fashën bregdetare Shkëmbi i Kavajës-Kepi i Rodonit. Një faktor, ndonëse minor, është klani i ish-kryetarit të degës së PS-së dhe ish-deputetit Gazmir Bizhga, që do të shfrytëzojë “nanollarët” edhe pakënaqësitë e një pjese të strukturave socialiste. Këtu mund të ndikojë dhe konsumimi 8-vjeçar i Dakos në qytet. Në totalin e votave, këto mangësi mund t’i shtojnë Dumës 4-5 pikë.

OPOZITA

Por edhe e djathta ka të vetat, që, me sa duket, edhe Duma, edhe selia qendrore e PD-së i kanë në konsideratë. “Prova e balonës” me përfaqësuesin republikan Agron Duka nxori në pah një korrent të fuqishëm anti-Duka-Koka, që favorizoi Dumën për të ardhur në Durrës. Edhe ndryshimet në minutat e fundit në listën e këshilltarëve të PD-së, dëshmoi se ky korrent ka ndikim të fortë, pasi nuk ishte normale të mos përfshiheshin dy nënkryetarët e degës së PD-së. Nga ana tjetër, biznese të fuqishme të lidhura me opozitën kanë mbajtur kontakte në distancë me Dakon gjatë 8 vjetëve. Një problem përbën edhe “joshja” e dy komuniteteve, tradicionalisht, me PD-në: çam dhe kosovar. Ka ndryshuar diçka vitet e fundit. Çamët e Plazhit kanë votuar PDIU-n si parti, kurse një pjesë ia kanë dhënë Dakos. Kosovarët e Rrashbullit dhe Katundit të Ri, që nuk kanë qenë deri tani pjesë e bashkisë së Durrësit, nuk e “njohin” Dakon dhe aq shumë, por nga ekranet ia dinë vlerat Dumës si debatuese fituese.

/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/