Zv/kryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi ka qenë e pranishme ditën e sotme në prefekturën e Durrësit. Në takimin e zhvilluar me këtë rast, Mesi ka vënë theksin në një sërë reformash që do të ndërmerren në qytetin bregdetar.

Kryefjala e Mesit në takim ka qenë reforma e ujit dhe aksioni i pritshëm lidhur me të. Zv/kryeministrja Mesi ka sjellë në vëmendje shumë abuzime me ujin duke vënë theksin tek dëmi ekonomik që kanë sjellë për UKD-në lidhjet e paligjshme.

Ajo kërkoi nga të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe drejtorive në Durrës të raportojnë pranë Task-Forcës për të gjithë punonjësit e administratës që nuk kanë lidhur ende kontratë me UKD-në.

Si detyrë kryesore për administratën në të ardhmen, Mesi nënvizoi rritjen e punësimit dhe reformimin e shërbimeve publike dhe dixhitalizimin e tyre.

Mesi u ndal edhe në aksionin e gjelbërimit dhe shërbimit pyjor, për të shtuar sipërfaqet e gjelbërta dhe për të mirëmbajtur e mos dëmtuar ato ekzistuese. Ajo theksoi se duhet të mbillen 20 milion pemë deri në vitin 2020.

Mesi la detyra edhe për probleme të tjera shqetësuese për qytetarët dhe i vuri rëndësi eleminimit të procedurave burokratike duke kërkuar reduktimin në minimum të tyre.

Një ndër detyrat kryesore që del para administratës theksoi zv/kryeministrja është regjistrimi i pronës.

K.H.