Drejtuesit e automjeteve, në kaos e stres
DURRES, 14 maj 2013– Me mijëra automjete qarkullojnë çdo ditë nëpër këtë rrugë, përmes baltës, pluhurit, gropave, ujërave që kanë shpërthyer ngado. Bypass-i i Shkozetit, arteria kryesore e transportit rrugor, që lidh Shqipërinë e Mesme me Jugun, është kthyer në tmerrin e drejtuesve të automjeteve. Përqark rrethrrotullimit, ashtu sikurse përgjatë segmentit, asfalti është dëmtuar rëndë dhe ka një numër të lartë gropash të thella, të krijuara pas shirave të fundit. Trafiku paralizohet vazhdimisht, ndërsa kjo situate kaotike nuk ka kursyer as autoambulancat, duke vënë në rrezik jetën e të sëmurëve që transportojnë.
Drejtuesit e automjeteve e kanë humbur durimin me këtë situatë, që sa vjen e rëndohet. E ndërsa përjetojnë orë të tëra stresi, ata ankohen se punimet për përfundimin e kësaj nyje të rëndësishme po zvarriten. Ndërtimi i By-pass-i i cili fillon nga dalja e mbikalimit të Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës dhe përfundon duke arritur në Mbikalimin e Plepave, ka nisur më 10 korrik të 2009 dhe sipas llogarive kohore, kjo rrugë vetëm 5 km e gjatë duhej të kishte përfunduar 22 muaj më pas. Por, kur kanë kaluar më shumë se 3.5 vite nga data e fillimit, punimet jo vetëm nuk kanë pëfunduar akoma, madje duhet thënë, se në bypass-in e Shkozetit deri sot janë kryer vetëm 50% e punimeve, duke tejkaluar çdo parashikim të mundshëm.
Tejkalimi afateve.
Tashmë, kur afati kohor i përfundimit të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Shkozetit ka tejkaluar çdo parashikim të mundshëm, kjo më tepër se shqetësim është kthyer në një alarm të vërtetë për drejtuesit e automjeteve por edhe banorët e zonës. Sipas kontratës së nënshkruar nga firmat kontraktore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve Tiranë, segmenti i bypass-it të Shkozetit me gjatësi 5 kilometër nisi punimet më 10 korrik të 2009 dhe sipas llogarive kohore, kjo rrugë duhej të kishte përfunduar 22 muaj më pas. Por, kur kanë kaluar më shumë se 3.5 vite nga dita e fillimit, punimet nuk kanë pëfunduar akoma, madje duhet thënë, se në bypass-in e Shkozetit deri sot janë kryer vetëm 50% e punimeve.Firma tenderuese ka pretenduar se zvarritja e punimeve ka ardhur për shkak të problemeve në procesin e shpronësimeve të tokave të pronarëve ku kalon rruga, apo edhe tek mbikalimi i Trenit.
Projekti
By-pass-i i Durrësit fillon nga dalja e mbikalimit të Shkozetit në Autostradën Tiranë – Durrës dhe përfundon duke arritur në Mbikalimin e Plepave. Projekti i Mbikalimit të Durrësit përfshin ndërtimin e rreth 5 km superstradë me 4 korsi kalimi. Projekti parashikon ndërtimin e rrethrrotullimit te ri të Shkozetit dhe të tre rrethrrotullimeve të reja në pikat lidhëse me rrugët transversale, nënkalim e trasesë hekurudhore si edhe degëzimet që e lidhin mbikalimin me Portin e Durrësit dhe kodrat e Rrashbullit dhe që janë në total 2 km rrugë me katër kalime. Kostoja e këtij projekti arrin në 12.9 milionë Euro investim i Fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare. Konsulente është Kompania Kuvaitiane J/V Aec &THC. Kontraktor kompania J/V GREEN LINE CONTRACTING Co.
/e.a. Agjencia e Lajmeve"Dyrrah"/





