Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL) në Gjykatën e Durrësit ka organizuar sot një takim ndërgjegjësues me temë: “Shërbime Ligjore Falas për individët në nevojë pranë Gjykatës së Rrethit gjyqësor, Durrës. Përvoja dhe mësime për të ardhmen.”

Ky aktivitet organizohet nga QNL në kuadrin e projektit “Zgjerimi i Shërbimeve Ligjore Falas për Gratë dhe Burrat në Shqipëri”, zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë me fonde të Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Programi i këtij projekti përmban bashkëpunimin me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në UAMD, të cilët do të promovojnë qëllimet e QNL-së si dhe bashkëpunim me njësitë administrative të Durrësit, Prefekturën dhe Bashkinë.

Në këtë aktivitet merrte pjesë Aurela Boza-Drejtore Ekzekutive e Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Iris Aliaj-Këshilltare e Ministrit të Drejtësisë, Markelian Koca-kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Meme Xhaferraj-drejtore e Shërbimit Social Bashkia Durrës, Erinda Ballanca-Avokate e Popullit, Robert Gajda-Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Edlira Papavangjeli-Menaxhere Programi UNDP Shqipëri, Alketa Kajmaku dhe Sonila Shehu, dy avokatet e QNL-së, si dhe qytetarë të cilët përfitojnë shërbimet falas pranë kësaj zyre.

Av.Alketa Kajmaku tha se prej 6 janarit deri më tani janë paraqitur 69 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë juridike.

“Janë trajtuar 111 çështje dhe këshillimi gjyqësore ndërsa 8 individëve të tjerë ju është ofruar ndihmë dytësore, të cilët janë në procese gjyqësore.”, thotë Kajmaku.

Më tej në aktivitetin e sotshëm, avokatet e QNL-së prezantuan shërbimet që kjo zyrë ofron për njerëzit me nevojë juridike si dhe diskutuan më të pranishmit për punën e bërë deri më tani.

G.D.