107 subjekte të biznesit të madh e të vogël, në prag të falimentimit në Durrës, Ato janë dërguar në gjykatë për shpallje falimenti për shkak të situatës së pashpresë ekonomiko-financiare në të cilën ndodhen. Nga 107 subjekte vetëm për 21 subjekte, gjykata ka dhënë vendim për faliment. Mosshlyerja e detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, pasoja e kapitaleve me humbje dhe pamundësia për të gjeneruar të ardhura për të përballuar humbjet që kanë, ka detyruar Tatim-Taksat e Durrësit të kërkojnë falimentin e tyre në Gjykatën e Shkallës së Parë. Sipas ligjit aktual, Tatimet kërkojnë në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, kur detyrimi tatimor është deklaruar i pambledhshëm, apo kur deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht. Po ashtu faliment kërkohet kur nuk kanë kryer veprimtari tregtare, ose nuk kanë paguar taksat prej 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Lajmin e bën të ditur zyrtarisht dega e tatimeve në Durrës.
” 1 – Në total janë dërguar në gjykatë 107 subjekte për fillimin e procesit të falimentit.
2- Nga këto është hapur procedura e falimentit për 21 subjekte, për 86 raste është rrëzuar kërkesa jonë.
Problematikat e hasura me proçeduren e falimentit bazuar në nenin 104 pika c (që deklarojnë rezultat me humbje te kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht) të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, i ndryshuar “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” janë si më poshtë:
Nga rastet e shqyrtuara në gjykatë për çështjet e falimentit të dërguara nga ana jonë, një pjesë e konsiderueshme e kërkesave tona janë rrëzuar nga gjykata bazuar në raportin e falimentit të paraqitur nga eksperti i falimentit me arsyetimin se mungon shkak real për fillimin e procedurave të falimentit në bazë të nenit 13 të ligjit të falimentit. (Gjendja e paaftësisë paguese përbën shkak të përgjithshëm për hapjen e procedures së falimentimit. Mbingarkesa me borxhe përbën shkak për hapjen e procedurës së falimentimit në rastin e një personi juridik), në këto kushte mospjesëmarrja dhe e kreditoreve të tjerë në këtë proces e bën më të vështirë dhe vetë ecurinë e këtij procesi , që në thelb ka moslejimin e akumulimit të humbjeve në vite të tatimpaguesit me qëllim ndihmën e kreditorëve të tjerë të tatimpaguesit që dhe këta të fundit të mos falimentojnë për shkak të kredive të këqija të pambledhshme nga debitorët e tyre”.
Subjektet e biznesit të madh, që konsiderohen në prag falimentimi, operojnë në Durrës, Kavajë dhe Krujë dhe kryesisht në sektorët e ndërtimit, tregtimit dhe atë të prodhimit. Shumica e tyre janë fasonistë, fabrika dhe furra buke, por edhe firma ndërtimi a tregtues të mëdhenj materialesh ndërtimi dhe artikujsh ushqimorë. Ndërkaq dhjetëra subjekte të tjera sezonale, me të mbaruar sezoni turistik, kanë mbyllur aktivitetin e tyre duke qenë të përqendruar pikërisht në stinën e nxehtë. Vjeshta dhe largimi i pushuesve nga Durrësi sjell edhe mbylljen e tyre. Një pjesë e bizneseve të mbyllura sipas tatimorëve çelen edhe nga kosovarë, shqiptarë të Maqedonisë apo dhe emigrantë që vijnë gjatë stinës së nxehtë jo vetëm për të pushuar, por edhe për të nxjerrë të ardhura dhe mbështetur ekonominë e tyre familjare. Me largimin nga Shqipëria dhe ata e mbyllin aktivitetin tregtar duke ulur ndjeshëm numrin e bizneseve që gjallojnë gjatë stinës së nxehtë në Durrës. Janë afro 15 mijë subjekte private që ushtrojnë aktivitet në rajonin e Durrësit dhe vetëm 2200 e tyre, i përkasin biznesit të madh.
K.H.