DURRËS, 29 korrik 2014 –  Gjatë viteve 2011-2013, qarku i Durrësit ka pasur 10 për qind të numrit gjithsej si republikë të rasteve me sindromën  daun (down), duke u renditur i dyti pas qarkut të Tiranës me 54 për qind.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka bërë publike një tabelë mbi shpërndarjen e foshnjave me sindromën  daun sipas qarqeve të vendit gjatë periudhës 2011-2013, ku vihet re që Durrësi (10 për qind), Fieri (9 për qind) dhe Vlora (8 për qind), të cilat kanë frekuencë më të lartë të rasteve me sindromën  daun, kanë dhe numrin më të lartë të lindjeve.

Tirana (54 për qind) ka një përqindje më të lartë të rasteve me sindromën  daun, pasi dhe lindjet në Tiranë janë të shumta dhe përbëjnë rreth 1/3 e lindjeve në të gjithë vendin (shih faksimilen 3).

ISHP-ja thekson që qarku i Shkodrës (sidomos rrethi i Shkodrës), nuk i raporton sistematikisht defektet e lindura të identifikuara dhe diagnostikuara në këtë qark.

Sindroma  daun është një nga defektet e shumta të identifikuara në vendin tonë. Bazuar në të dhënat (shih faksimilen 1), del se incidenca e sindromës  daun në Shqipëri ka ardhur në ulje.

Në fakt, incidenca e kësaj sindrome nuk ka ndryshuar në vite, por ka pasur mungesë raportimi sidomos në vitin 2013, jo vetëm të sindromës doun, por të të gjitha llojeve të defekteve të lindura, thotë ISHP-ja.

Po ashtu gjatë periudhës 2011-2013 del se 64 për qind e rasteve me sindromën  daun banojnë në fshat, dhe 58 për qind e të gjitha rasteve janë meshkuj (shih faksimilen 2).

TË JETOSH ME SINDROMËN

Shumë individë me sindromën  daun bëjnë jetë produktive dhe të mirë edhe në moshë të rritur.

Mund të punësohen dhe të bëjnë një jetë të pavarur, por duhet të përfshihen në komunitetin e tyre, të kujdesen mirë për veten dhe të kryejnë vizita të rregullta tek mjeku i familjes.

Familjet duhet të mbajnë lidhje krahas mjekut të familjes dhe me familje të tjera që kanë fëmijë po me këtë sindromë, në mënyrë që ata të fitojnë njohuri dhe mbështetje mbi ndryshimet e mundshme që hasin gjatë kujdesit për fëmijën e tyre me sindromën  daun, këshillon ISHP-ja.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/