Durrësi ka regjistruar gjatë 6 muajve të parë të këtij viti një rritje të konsiderueshme përsa i përket strukturave akomoduese turistike.

Nëse një vit më parë në territorin e bashkisë Durrës regjistroheshin 158 subjekte që ushtrojnë aktivitetin “Hoteleri”, në 6 muajt e parë të vitit 2022 numri i tyre arrin në 204. Të dhënat publikohen nga bashkia Durrës, në raportin për sezonin turistik të këtij viti.

Kjo rritje me 30% është dëshmi e potencialit akomodues në rritje të qytetit bregdetar dhe rëndësisë që po i kushtohet zhvillimit të sektorit të turizmit.

Durrësi këtë sezon veror mbajti fronin e qytetit kampion të turizmit me një rritje të konsiderueshme krahasuar me dy sezonet e kaluara, kur pandemia Covid-19 ndikoi jo pak në lëvizjen e lirë të turistëve të huaj dhe emigrantëve që kthehen në atdhe për të kaluar pushimet.

Në raportin për sezonin turistik të mbajtur para këshilltarëve bashkiakë, Olta Dedej, përgjegjëse e Sektorit të Politikave të Turizmit në bashkinë Durrës theksoi se shifrat e këtij sezoni janë shumë të kënaqshme.

Durrësi është nyja kryesore në vend dhe kjo e ka kthyer qytetin jo vetëm një destinacion veror për plazh, por edhe një destinacion gjithëvjetor të turizmit kulturor. Në trafikun detar kemi rritje me 23% jahte më shumë dhe 8% krocera më shumë”,- tha ndër të tjera Dedej gjatë raportimit.

Pak ditë më parë, Autoriteti Portual Durrës njoftoi se trafiku detar gjatë 9 mujorit të këtij viti, ka njohur rritje me 17 % ose 94, 827 udhëtarë më shumë që përdorën portin më të madh në vend për hyrje daljet e tyre në Shqipëri.

Të dhënat tregojnë se 238,100 shtetas që kanë hyrë apo dalë nëpërmjet Portit të Durrësit janë të huaj, si: italianë, polakë, amerikanë, gjermanë, spanjollë, etj, të cilët kanë përbërë në tërësi një rritje prej 33 % shtetas të huaj më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

M.B.