Durrësi, 3000 vjet histori në librat e autorëve të huaj
20shtator 2015 – Durrësi është qyteti shqiptar i pranishëm në të gjitha enciklopeditë botërore për shkak të historisë së tij 3000-vjeçare, ndërsa botimet për monumentet dhe vlerat e tij vazhdojnë të mos ndalen edhe sot.
Citimet e shkruara për qytetin antik nisin 2500 vjet më parë me historianët e lashtësisë që nga Herodoti, Tukididi, Plutarku, Apiani, Polibi, Livi e Taciti. Apiani ka shkruar historinë e legjendës së themelimit të qytetit, duke hedhur dritë mbi vitalitetin e ilirëve taulantë që banonin në këtë zonë.
Që në fillimet e erës së re gjeografë si Skylaksi, Eratosteni, Straboni, Pausania, Plini, Mela apo Ptolemeu japin të dhëna të plota mbi qytetin-port, që morri një rëndësi të veçantë në Mesdhe. Aristoteli, i njohur si autor për statutet e 158 qyteteve-shtete ka formuluar edhe statutin e Durrësit, që kishte një pozitë mjaft të fortë në brigjet lindore të deti Adriatik.
Filozofi romak Ciceroni e quante Durrësin, “një qytet shumë të mirë për të jetuar”, ndërsa Jul Cezari kishte mbërritur në portat e qytetit në ndjekje të Pompeut, por pa e pushtuar dot Dyrrachiumin.
Qyteti vazhdoi të jetë një burim interesi historik gjatë gjithë periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës, kur Anastasi I-rë me origjinë nga qyteti i lashtë fuqizoi muret rrethuese, një pjesë e të cilave së bashku me amfiteatrin dhe torrën veneciane tregojnë edhe sot lavdinë e dikurshme të Durrësit.
Kryeqytet i Temës së Epirit të ri dhe një nga mburojat diplomatike të shtetit të Arbërit, Durrësi ishte edhe në fokusin e autorëve të Rilindjes evropiane. Kryeqendra e principatës së Topiajve e humbi përkohësisht madhështinë e tij gjatë sundimit otoman, kur porti detar u bllokua për mungesë të tregtisë me brigjet perëndimore, ndërsa ujrat e kënetës në verilindje të tij po shkatërronin shëndetin e banorëve. Megjithatë arkeologë, historianë dhe vizitorë të huaj si Han, Hezey, Prashniker, Fajt Rei dhe Sestier e përshkruan hollësisht Durrësin e kapërcyellit mes shekujve 19 dhe 20. Më pas arkeologët Vangjel Toçi, Skënder Anamali, Hasan Ceka, si dhe Hoti, Myrto, Hidri, Tartari e Zeqo dëshmuan përmes studimit të zbulimeve arkeologjike të viteve 1960-1980 mjaft elementë të të panjohur të Durrësit.
/portali DurresLajm/
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit