*Tatimet: Nga gushti janë hapur 3500 biznese të vogla!

Plot 555 subjekte të reja të biznesit të vogël kanë aplikuar për regjistrim në QKR gjatë fillimit të janarit 2016 në Durrës, ndërsa 3 mijë subjekte të biznesit të vogël janë regjistruar pas masave shtrënguese të qeverisë Rama prej shtatorit 2015. 12 mijë të punësuar më shumë rezultojnë në 2015-n, ndërsa me trend pozitiv ka hyrë edhe viti 2016. Drejtoresha e degës rajonale të Tatim-Taksave në Durrës, në një intervistë për “DurrësLajm” pohoi se numri i të punësuarve të siguruar në Durrës ka arritur në 62 mijë deri në fund të vitit 2015, ndërsa fasonët e Call Center-ave janë dy sektorët që po ofertojnë tregun.   

Subjektet e licencuara i përkasin tregtisë dhe shërbimeve, ndërsa kërkesat e tregut nga kompanitë për të punësuar i përkasin Call Center-ave dhe fasonëve, që punojnë për të tretët.

Sipas statistikave, për vitin 2015 u regjistruan në QKR 4449 subjekte të reja të biznesit të vogël në Durrës. 1500 biznese të tjerë aplikuan për çregjistrim. 67% e tyre ose 3 mijë subjekte u regjistruan prej muajit gusht që nisi edhe fushata e tatimorëve në të gjithë vendin për kontrollin e subjekteve të biznesit dhe sekuestron e mallrave për ata që rezultonin të palicencuar. Rreth 15.000, ka shkuar numri i biznesit të regjistruar në Durrës, 2700 prej të cilëve janë të klasifikuar si biznes i madh, dhe që gjenden në shifrat 65 me 35% në favor të biznesit të vogël.

K.H.