Problemi i ndotjeve të bregdetit të Durrësit nga kanalizimet e ujërave të zeza që derdhen në të, është shtruar për diskutim nga një grup qytetarësh dhe disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak në zbatim të projektit “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër”, diskutim ky i mbështetur nga shoqata “Lëviz Albania”.
Në takim u shfaqën video-reportazhe dhe u sollën fakte rreth ndotjes në bregdetin durrsak. Anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë pranuar situatën dhe kanë shprehur angazhimet e tyre për të ofruar një zgjidhje. Ata bënë me dije se këto probleme janë ngritur edhe më parë në Këshill, por që nuk janë marrë në konsideratë nga Bashkia.
Qytetarët në diskutimet e tyre kanë shprehur shqetësimet për këtë problematikë komplekse, që ka bërë që edhe zona e Currilave, një nga plazhet preferencialë të durrsakëve të jetë jashtë funksionit nga tejndotja masive që ka pësuar nga ujërat e zeza që derdhen drejtpërdrejt në det.
Pjesëmarrësit theksuan se për këto probleme do të paraqesin edhe një peticion drejtuar bashkisë për të marrë masa urgjente në eliminimin e ndotjeve të bregdetit.
K.H.





