Projekt 5-vjeçar, me pjesëmarrjen e specialistëve nga Shqipëria, Franca dhe Italia Prof. Catherine Abadie-Reynal, universiteti Lion 2 (Francë): “Më shumë se 75 për qind e strukturave të hershme urbane të Durrësit, si mure, varre, dysheme, etj. janë ende nën tokë, apo kanë përfunduar nën themelet e pallateve të ndërtuara nga banorët e tij”
Durres, 18 korrik 2013 – Durrësi do të ketë pas tre vjetësh një hartë të detajuar të pranisë së strukturave të tij urbane në lashtësi dhe në mesjetë dhe gjithçka mund të klikohet në një sistem interaktiv interneti, së bashku me hartën e qytetit modern.
Mungesa e hartave të plota lidhur me praninë e monumenteve arkeologjike si dhe për evoluimin e sistemin urbanistik të Durrësit ndër shekuj, që prej dy vjetësh është bërë shkas për fillimin e një projekti 5-vjeçar, me pjesëmarrjen e specialistëve të fushës nga vendi ynë, Franca dhe Italia.
Drejtuesit e projektit flasin mbi dëmet e pariparueshme që kanë sjellë ndërtimet në pjesë të veçanta të qytetit antik.
Dr. Eduard Shehi, bashkëdrejtor shqiptar i projektit, tha: “Vendndodhjet e strukturave urbane të qytetit të vjetër po vendosen mbi hartën kadastrale të vitit 2010 në Durrës.
“Për të arritur në këtë fazë ne kemi grumbulluar nga arkivat të gjitha botimet, hartat dhe të dhënat ekzistuese, të cilat po digjitalizohen dhe përbëjnë një shërbim të rëndësishëm për studimet e ardhshme.
“Institutet e Arkeologjisë dhe Monumenteve të Kulturës në Tiranë, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Instituti Gjeografik Ushtarak, si dhe arkivat personale kanë qenë burimet kryesore të hartave, e të dhënave arkivore, duke u bërë njëkohësisht edhe partnerët shqiptarë të projektit; pala franceze bashkëpunon me anë të përfaqësuesve nga Universiteti Lion 2 dhe Universiteti Paris 4 Sorbonë; prania italiane dëshmohet nga Konsorciumi Kombëtar i Kërkimeve në Katania.
“Përveç ekspeditës njëmujore në terren, dy muaj të tjerë qëmtohen materialet e grumbulluara, të cilat hidhen në sistem”, – tha dr. Shehi, sipas të cilit, “misioni trepalësh do të përfundojë këtë fazë të studimit në vitin 2016”.
Prof. Catherine Abadie-Reynal, e universitetit Lion 2 (Francë), tha: “Nga materialet e deritanishme rezulton se më shumë se 75 për qind e strukturave të hershme urbane të Durrësit, si mure, varre, dysheme, etj. janë ende nën tokë, apo kanë përfunduar nën themelet e pallateve të ndërtuara nga banorët e tij”.
Sipas Abadie-Reynal, zona më e dëmtuar e Durrësit mbetet pjesa nga godina e Albtelekomit deri te stadiumi “Niko Dovana”.
Prania e monumenteve në këtë territor është tepër intensive, pa harruar se edhe numri i ndërtimeve shumëkatëshe këtu është mjaft i madh.
Në zonat kodrinore, apo bregdetare të dhënat për struktura urbane të vjetra janë shumë më të pakta, por edhe këto hapësira nuk i kanë shpëtuar betonizimit.
Pala franceze shpreson se harta e ardhshme, për prodhimin e së cilës bashkëpunon edhe bashkia e Durrësit, do të kthehet në një instrument ligjor për t’u zbatuar para fillimit të ndërtimeve të reja.
Duke folur për projektin 5-vjeçar franko-italo-shqiptar dr. Eduard Shehi thotë: “Në pjesë të veçanta të qytetit po bëhen studime elektromagnetike dhe sizmologjike, të cilat japin një pasqyrë të situatës nëntokësore dhe të strukturave arkeologjike dhe gjeologjike në qytet”.
Një tjetër synim i ekspeditës është edhe studimi i raportit mes qytetit dhe detit e lagunës në shekuj.
Të gjitha këto mundësojnë njohjen e vendndodhjeve të strukturave urbane mesjetare e antike në kontekstin e qytetit të sotëm; ato i shërbejnë pushtetit vendor si instrument për ndërtimet e ardhshme, njëkohësisht e krijon një hartë unike, në të cilën mund të klikosh elementët e rinj të qytetit për t’u njohur me monumentet e vjetra, dhe anasjelltas, pra nga një strukturë arkeologjike të kuptojmë se si është zhvilluar qyteti në zonën përkatëse.
Prof. Catherine Abadie-Reynal deklaron: “Bota akademike franceze është mjaft e interesuar për zhvillimet e Durrësit, situata e të cilit është shumë më komplekse se sa ajo e Apolonisë apo e Korçës, në të cilën mungojnë ndërtimet e reja.
Sinkronizimi i së djeshmes me atë që ndodh realisht në qytet na bën që të ndjekim nga afër ritmet e zhvillimit të qytetit”.
Shënim: Fotot dhe intervistat me misionin trepalësh shqiptar-francez-italian për “Dyrrah”-un: mirësjellje e Gëzim Kabashit.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





