Është kthyer në utopi shpresa se instrumentet që rregullojnë një vend në demokraci mund të kthehen në realitet, po nga sot sheshi “Liria” e dëshmoi këtë. I çliruar nga pushteti i tavolinave të drunjta dhe ekrani gjigant i vendosur para teatrit, ai u kthye në triumf të reagimit qytetar, interesit publik, që fitoi zë kryesisht përmes shkrimeve të ndryshme në agjencinë informative “DurrësLajm”. Një reagim i fortë publik dhe bashkia dëgjoi zërin e besimtarëve myslimanë që agjërojnë dhe falen në xhaminë e madhe; dëgjoi zërin e banorëve që jetojnë në qendër të Durrësit e gjithashtu ndjeheshin nën presionin e volumit të lartë të muzikës orë e pa orë; dëgjoi zërin e fëmijëve të privuar nga të lëvizurit hareshëm në shesh. Nuk shkoi dëm as zëri i bizneseve lokale që u ndjenë të sfiduara, të fikura në shpresat për të rritur fitimet nga ndjekja në lokale e Europianit. Këto, pa i mohuar as dëshirën të gjithë atyre që i shijuan ditë-netët në shesh para ekranit të madh sportiv, teksa konsumonin qofte e birra.

Nga sot, qytetarët lëvizin lirisht mes hapësirave të rifituara pas largimit të tavolinave të drunjta, tendave të tregtim-shërbimit dhe ekranit. “Elbar” me Festën e Miqësisë la Durrësin për të shtegtuar drejt Beratit.

I palajmëruar nga kompania “Connext shpk”, ky largim sigurisht që shkaktoi zhgënjim vetëm te dashamirësit e birrës dhe produkteve të zgarës, të cilët u ndjenë të mashtruar, të tradhtuar pasi duke iu referuar reklamave të vendosura në qytet prisnin të shijonin deri në fund të Euro2016-s ndeshjet në shesh dhe të përfitonin nga surprizat e deklaruara. Organizatore e Festave të Miqësisë në Durrës e Tiranë, shoqëria “Connext shpk”, përtej reklamimit të bujshëm se festa do të zgjaste deri më 10 korrik, u largua nga Durrësi pas përfundimit të ndeshjes Rumani-Shqipëri, që gëzoi zemrat e çdo shqiptari me fitoren historike.

Presioni qytetar duket se i la në mes marrëveshjet e heshtura.  Oferta “merr 3, paguaj 1” mbeti në tentativë. Dako duket se i vuri pikat mbi i, duke i dhënë fund përfitimit abuziv përmes shmangies së detyrimeve financiare dhe moskokëçarjes për pasojat social-ekonomike në qytet.

E gjithë kjo mund të konsiderohet vërtet një hap, po padyshim hap i suksesshëm drejt shkrirjes së hendekut mes qytetarëve nga një anë dhe pushtetit e administratës publike në anën tjetër. Mirëkuptimi i shqetësimit të disa prej grupeve të interesit në qytet, që fituan zë falë medias vendore, mori një tjetër vlerë. Zvogëloi hendekun dhe zbuti arrogancën e pushtetit në përballje me qytetin. Vendosi ura, dhe pse të tërthorta komunikimi, duke shuar përplasje dhe pakënaqësi të forta. E padyshim zgjati shijen e bukur dhe emocionet e fitores së skuadrës së zemrës te të gjithë qytetarët. Kombëtarja kuq e zi na dha shpresë se mund t’ia dalim. Djemtë me De Biasin në krye gjeneruan gëzim tek i madh e i vogël me një fitore që na largoi peshën e një vendi në zhvillim aq larg realisht, po aq afër fizikisht me BE-në. Kësaj fitoreje iu shtua fitorja e zërit qytetar, fitorja e komunikimit e mirëkuptimit ku të dëgjosh e reflektosh përbën vlerë thelbësore.  

Nën sloganin “Mbani premtimin dhe surpriza ju presin…”, një festë miqësie interesi u mbyll, po hapi dyert e rënda të një komunikimi dhe bashkëvendosje të shumëdëshiruar Bashki-Komunitet, për një qeverisje të suksesshme lokale.