Grup-depot e Memajt në Rromanat afër Durrësit kishin:
· Miliona fishekë kalibër 7,62×39, kalibër 7,62×54, kalibër 12.7×108 mm, kalibër 14,5mm e deri vjetërsira të Luftës së Dytë Botërore kalibër 7,57 mm apo 8,8 mm; predha mortaje të kalibrave të ndryshëm, prodhim sovjetik (shumë pak copë), prodhim kinez dhe Poliçani; magazinuar 1 000 predhave mortaje kalibër 120 mm prodhim i fabrikës “Krusik” të Valjevos (Serbi); qindra tonë lëndë eksplozive të tipit T4 (heksogjen) amatol, trotil, si edhe sasi të pakonsiderueshme eksplozivësh tip plastik – prodhim lindor, iranian apo turk i markës “Nobelex”; disa dhjetëra tonë barut pa tym, barut i zi dhe barut shufër, lëndë këto relativisht jo-stabël; një sasi e konsiderueshme kapsollash importi kryesisht nga Berana e Malit të Zi, fitili zjarr-përcjellës (prodhim bullgar dhe iranian); paku dy bidonë me kapacitet të vogël mbushur me municioni tip WMD
· Më shumë lëndë shpërthyese me fuqi të lartë sesa në Gërdec, ku dëmet kryesore u shkaktuan vetëm, kur zjarri hodhi në erë mega-depon e barutit. Dihet, baruti nuk është lëndë plasëse, sepse ai, kur ndizet, ka kryesisht aftësi shtytëse dhe djegëse, ndërsa trotili, RDX-I (heksogjeni), madje edhe amoniti janë lëndë të mirëfillta shpërthyese me aftësi të lartë dhe të mesme
· Edhe në mungesë të bidonëve me ngarkesë WMD kineze forca e mjeteve shpërthyese dhe baruteve në Memaj do të ishte shumëfish më e fortë dhe shumë fish më vdekjeprurëse se ajo e Gërdecit
Nga Gjergj Thanasi
DURRËS, 16 mars 2014 – Që të nesërmen e shpërthimit katastrofik të Gërdecit, kur ende nuk ishin nxjerrë të gjitha trupat e të vdekurve nga rrënojat, filluan të dalin në dritë fakte mjaft komprometuese.
Oficerët e policisë gjyqësore, duke shfrytëzuar konfuzionin dhe panikun në radhët e politikanëve duar-përgjakur dhe të gjeneralëve e kolonelëve torollakë, arritën të sekuestrojnë dokumente tronditëse, komprometuese me vlera të jashtëzakonshme.
Këto dokumente ishin të mjaftueshme për të zbardhur aspektet kryesore të tragjedisë, njëkohësisht hidhnin dritë për dhjetëra raste trafiku armësh në katër kontinentet.
Me pak punë dhe intuitë për t’i bashkuar “gurët e mozaikut” arrihej të identifikohej edhe mekanizmi, që hodhi në erë Gërdecin.
Nga një shqyrtim i kujdesshëm i dokumentacionit të sekuestruar nga oficerët e policisë gjyqësore, rezulton se shqiptarët ishin me fat, që shpërtheu Gërdeci.
Nëse nuk do të kishte shpërthyer Gërdeci, por “vëllai i tij siamez”, grup-depot e Memajt në Rromanat afër Durrësit (shih hartën pika e kuqe tregon Rromanatin), tragjedia e Gërdecit do të zbehej për nga përmasat vrastare, krahasuar me hatanë e mundshme të Memajt.
Thelbi i tragjedisë së Gërdecit është një aferë e stërmadhe tregtie, trafiku e kontrabande armatimesh e shtrirë në katër kontinente.
TRI SHTYLLAT
Ky trafik kishte një infrastrukturë logjistike, që mbështetej në tri shtylla: në Gërdec, ku bëhej demontim dhe trafik armësh.
Ky konkluzion mbështetet në prova shkresore, por edhe në fakte të mbledhura në terren pas shpërthimit. Fjala vjen janë gjetur ambalazhe armatimesh të shkruara në gjuhën ukrainase, gjuhë kjo e përdorur në ushtri vetëm pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Pra, në Gërdec, krahas demontimit të plehrave të trashëguara nga komunizmi, bëhej edhe magazinim armatimesh të ardhura nga ish-hapësira sovjetike.
Shtylla e dytë ishte aeroporti i Rinasit, pjesa ushtarake e tij. Në aeroport bëhej ambalazhim, transportim fishekësh për në Afganistan, por edhe eksport armatimesh me avion në Azi, Afrikë dhe në pjesën evropiane të ish-Bashkimit Sovjetik. Këmbëngulja e përfaqësuesve të DEA-s (Drugs Enforcment Agency) për të futur hundët në Rinas (pjesa ushtarake) lë për të dyshuar edhe për afera të tjera në këtë aeroport.
Grup-depot e Memajt ishin shtylla e tretë e trafikut. Nga dokumentacioni i sekuestruar nga oficerët e policisë gjyqësore (shqyrtimit të të cilit gjykata iu largua si djalli nga temjani), rezulton, që ky grup-deposh ishte baza logjistike e trafikut të armatimeve. Këto depo, ish-repart kundërajror në komunizëm, teorikisht ishin nën kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa, praktikisht, përveç ushtarit “rojë bostani” te dera e repartit, Ministria e Mbrojtjes nuk kishte nën kontroll asgjë në Memaj. Aty, një pjesë e magazinave u ishin dhënë me qira firmave private civile me lidhje të forta me politikën, që magazinonin në depo, kapsolla ndezëse tip poliel, lëndë eksplozive tip amonit apo edhe TNT, barut shufër etj.
MEMAJ, SHPELLA E ALI BABËS
Depot, nën kontrollin e civilëve të MEICO-s, ishin si shpella e Ali Babës.
Në to kishte miliona fishekë kalibër 7,62X39, kalibër 7,62X54, kalibër 12.7X108 mm, kalibër 14,5mm e deri vjetërsira të Luftës së Dytë Botërore kalibër 7,57 mm apo 8,8 mm. Kishte predha mortaje të kalibrave të ndryshëm, prodhim sovjetik (shumë pak copë), prodhim kinez dhe Poliçani.
Një fakt i çuditshëm dhe tej mase komprometues ishte edhe magazinimi i 1000 predhave mortaje kalibër 120 mm prodhim i fabrikës “Krusik” të Valjevos (Serbi). Oficerët kokëmish shqiptarë të “sqaronin”, që këto ishin predha të CIA-s amerikane. Siç duket, ushtria amerikane kishte mungesë predhash mortaje dhe CIA do t’ia plotësonte mungesën me predha Made in Serbia!!!!!.
Në depo kishte qindra tonë lëndë eksplozive të tipit T4 (heksogjen) amatol, trotil, si edhe sasi të pakonsiderueshme eksplozivësh tip plastik – prodhim lindor, iranian apo turk i markës “Nobelex”.
Në depo ishin edhe disa dhjetëra tonë barut pa tym, barut i zi dhe barut shufër, lëndë këto relativisht jo-stabël. Gjendej gjithashtu një sasi e konsiderueshme kapsollash importi kryesisht nga Berana e Malit të Zi, fitili zjarr-përcjellës (prodhim bullgar dhe iranian).
LIDHJE UKRAINASE
Në depo çuditërisht kishte edhe një numër të vogël pistoletash ultramoderne “Glock” austriakë, madje edhe me rreze lazer, mjaft të përshtatshme për qitje natën. Fatmirësisht nga depot ishin bërë dalje një numër raketash kundërajrore prodhim ukrainas dhe një numër raketash (missiles) kundërtanke si edhe predha të padrejtuara kundërtanke (rockets), po të prodhimit ukrainas. Ka dyshime të pambështetura me prova nga librat (gjithsesi të pasakta) të hyrje-daljeve në magazinë, se në Memaj ishin magazinuar edhe së paku dy bidonë me kapacitet të vogël mbushur me municioni tip WMD.
E vetmja mënyrë për ta frenuar apo për ta ngadalësuar ose për ta shtënë në binarë trafikun e armëve në kohën e Ministrit Mediu, mbetej fatkeqësisht përdorimi i mjeteve jo-ortodokse.
Nëse në Memaj do të kishte ndodhur shpërthim, si-larg-qoftë, ai i Gërdecit, tragjedia do të ishte shndërruar në hata.
Në depo kishte më shumë lëndë shpërthyese me fuqi të lartë sesa në Gërdec, ku dëmet kryesore u shkaktuan vetëm, kur zjarri hodhi në erë mega-depon e barutit. Dihet, baruti nuk është lëndë plasëse, sepse ai, kur ndizet, ka kryesisht aftësi shtytëse dhe djegëse, ndërsa trotili, RDX-I (heksogjeni), madje edhe amoniti janë lëndë të mirëfillta shpërthyese me aftësi të lartë dhe të mesme.
Për fatin e mirë të Durrësit dhe durrsakëve, një veprim rutinë, por profesional i policisë së komisariatit Durrës, i shpëtoi grup-depot e Memaj-Rromanatit nga një fat i ngjashëm me Gërdecin.
Drejtori i atëhershëm i MEICO-s, z. Pinari, në përpjekje për të zgjeruar, thelluar, shtuar e kamufluar më mirë trafikun e armatimeve, kishte bërë kërkesë zyrtare për t’i dhënë statusin e magazinës doganore tip B grup-depove të Memaj-Rromanatit.
Një status i tillë do të shtonte dhe kamuflonte më mirë transitin e armëve nëpërmjet territorit shqiptar.
Është interesant fakti, që pas tragjedisë së Gërdecit, Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO e ndërprenë menjëherë procedurën goxha të avancuar për të fituar statusin e magazinës doganore.
Një nga kërkesat formale të ligjit për të marrë këtë status, është edhe inspektimi i objektit nga organizma të ndryshëm shtetërorë për aspekte, që nga siguria deri te mbrojtja ndaj zjarrit.
KOMISARIATI I POLICISË DURRËS
Në këtë kuadër komisariati i policisë Durrës, vetëm tri ditë para shpërthimit të Gërdecit, nën nxitjen zyrtare (me shkresë) nga MEICO-ja planifikon një inspektim të grup-depove Memaj-Rromanat, për të parë si ishte gjendja e sigurisë e objektit.
Nën drejtimin e komisar Aleks Hajdarit, me dy makina me shenja policie me fenerlina të ndezura, kryhet vizitë inspektimi në Memaj.
Një prani e tillë e shtuar e policisë, në mjete e personel, një shou i vërtetë force, normalisht nuk mund të kalonte pa u vënë re nga personat e interesuar.
Automatikisht ra “varianti” Memaj dhe mbetej variant Rinas dhe varianti Gërdec. Rinasi ishte i mirëruajtur, me pengesa xheniere, ndriçim të mjaftueshëm rrethor, me roje 24 orësh me oficerë, nënoficerë e ushtarë profesionistë (jo rekrutë). Shkurt puna një objektiv i vështirë për tu atakuar.
“ESHKA” E XHA JAHOS
Në Gërdec siguria dhe sigurimi teknik ishin thuajse zero. Ishte një han me porta të shqyera, ndoshta pa porta fare. Normalisht si objektivi më i lehtë për t’u arritur, ndonëse jo detyrimisht më i dëshirueshmi u zgjodh Gërdeci.
Fatkeqësisht, përsëritja në përmasa tragjike e episodit të filmit “Në fillim të verës”, bëri që “eshka” e xha Jahos të ndizte jo thjesht një karrocë me 8 thasë njëzet kilesh me barut, por gjithë sipërmarrjen e Gërdecit përfshirë ndër të tjera edhe një mega-magazinë me 900 tonë barut.
Pasojat dihen: u masakruan 25 fshatarë të mjerë dhe një baxhanak kryeministri. Lavdi zotit që fatin e Gërdecit nuk e pati Memaj, përndryshe do të ishte bërë hataja.
RASTI, MBRET I BOTËS
Edhe në mungesë të bidonëve me ngarkesë WMD kineze forca e mjeteve shpërthyese dhe baruteve në Memaj do të ishte shumëfish më e fortë dhe shumë fish më vdekjeprurëse se ajo e Gërdecit.
Qyteti i Durrësit në vijë ajrore ishte më afër se Tirana apo Durrësi me Gërdecin, madje edhe zona e banuar afër Memajt (plazhi dhe Golemi) ishte shumë më e populluar me banesa dhe njerëz sesa fshati i Gërdecit, Marqinetit apo i qytezës së Vorës.
Rasti është mbret i botës thotë një proverb anglez. Rasti e shpëtoi Durrësin nga kiameti. Jo pushtetarët e papërgjegjshëm dhe makutë në ekstrem.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





