Më shumë se 800 shahistë meshkuj dhe femra, pjesë e klubeve më në zë të Evropës do të “zbarkojnë” më 30 shtator në Durrës, për të marrë pjesë në Kupën Evropiane të Shahut.

Ky është eventi më i rëndësishëm ndërkombëtar që zhvillohet më vendin tonë përsa i përket shahut, ndërkohë që mes shahistëve më në zë do të jetë edhe lojtari më i mirë aktual në botë, 5 herë kampion bote në shah, Magnus Carlsen.

Për të mësuar më shumë mbi këtë event sportiv me mjaft peshë dhe jehonë ndërkombëtare, “DurrësLajm” intervistoi sekretaren e përgjithshme të Federatës Shqiptare të Shahut Majlinda Pilinci.

“Eshtë një sfidë për ne si organizatorë, sepse është një përgjegjësi shumë e madhe. Në Kupën Evropiane marrin pjesë rreth 850 shahistë dhe anëtarë të klubeve evropiane më në zë të shahut“,- thotë ndër të tjera Pilinci.

Aktiviteti më i rëndësishëm i shahut, do ta kthejnë Durrësin dhe Tiranën, në vëmendjen ndërkombëtare të të apasionuarve pas këtij sporti.

Të gjitha ndeshjet do të transmetohen live dhe online dhe pritet të ndiqen nga rreth 100 milionë shikues në mbarë botën.

“Eventi do të transmetohet live, 100 ndeshje të transmetuara live pritet të ndiqen nga spektatorë nga e gjithë bota, sepse shahu është një ndër sportet më të ndjekura online. Komentatorët do të jenë të pranishëm gjatë të gjithë ditëve të eventit duke komentuar live dhe njëkohësisht duke sjellë pjesët më të bukura të asaj çfarë do të ndodhë gjatë ndeshjeve”,- thotë Pilinci.

Kupa Evropiane e Klubeve të shahut do të ulë siparin më 8 tetor.