Ashtu siç kishin paralajmëruar në rrjete sociale, dhjetëra qytetarë të Durrësit u mblodhën pasditen e sotme në sheshin qendror të qytetit për të protestuar kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve të shportës.

Më të paktët në numër, në krahasim me protestat e organizuara gjatë javës së kaluar, pjesëmarrësit i kërkuan qeverisë Rama kontrollin mbi çmimet, sepse jetesa po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme për familjet me të ardhura të pakta.

Një qytetare u shpreh e keqardhur që megjithëse shumë e ndjejnë rritjen e çmimeve, evitojnë pjesëmarrjen në protestë.

“Më vjen keq që Durrësi nuk del i gjithi sot në shesh. Çmimet si majtas, si djathtas i vuajmë të gjithë. Nuk është vetëm kjo javë, ky muaj, që çmimet janë rritur, por ka 30 vjet që Durrësi është i shkatërruar, jetesa është tej mase e keqe”,- tha qytetarja.

Sipas organizatorëve të protestës së Durrësit, të gjithë do të jenë nesër në Tiranë, në protestën kombëtare, e cila do të nisë nga sheshi “Skënderbej” për t’u zhvendosur drejt kryeministrisë.

“Ne si qytetarë kemi vendosur që protestën tonë ta spostojmë në Tiranë. Sot donim të transmetonim mesazhin, që edhe qyteti i Durrësit reagon dhe nuk e ulim kokën, nuk dorëzohemi”,- tha Artion Barjamaj.

Aktivisti Flamur Bala e konsideroi krim ekonomik dhe spekulime rritjen me rreth 20% të çmimeve të produkteve të shportës, ndërsa u ndal edhe deklaratën e mbrëmshme të ministres së Financave Delina Ibrahimaj, të cilën e quajti tallje e pushtetarëve me popullin e vet.

“Ku është qeveria jonë, për çfarë janë ata aty. Duhet të marrin masa, çfarë presin. Të dalin njëherë ata të jetojmë se 130 euro, ta shohim a u del”,- deklaroi Bala.  

M.B.