Për të dytën ditë me radhë, Durrësi do të ketë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm për shkak të stakimit të energjisë nga ana e OSHEE-së në Fushë Kuqe.

UKD bën me dije se edhe gjatë ditës së sotme në disa lagje të qytetit do të ketë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm. OSHEE ka përfunduar punimet në defektin që ishte konstatuar në Fushë Kuqe deri në orën 01.00 pas mesnate. Pas kësaj ore ka filluar furnizimi me ujë dhe aktualisht depot e qytetit janë mbushur dhe po furnizojnë lagjet sipas grafikut në fuqi.

Gjithsesi, për shkak të vonesës së riparimit të defektit nga ana e OSHEE-së, edhe gjatë ditës së sotme mund të ketë probleme në zona të caktuara, bën me dije Ujesjellës Kanalizime Durrës, e cila kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë.