DURRËS, 16 nëntor 2014 – Antigripi kombëtar për vaksinimin e bluzave të bardha nis nga Durrësi.
“Fillon zbatimi për herë të parë i një programi të plotë kombëtar vaksinimi ndaj gripit për punonjësit shëndetësorë që kanë kontakt të ngushtë me pacientin”, tha më 15 nëntor 2014 Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në takimin e zhvilluar me punonjës e drejtues të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit (DRSH) të Durrësit, ku mori pjesë edhe deputetja e Durrësit, mjekja e njohur dr. Klodianë Spahiu, si dhe drejtues të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) e institucioneve sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.
Kreu i shëndetësisë shqiptare z. Ilir Beqaj deklaroi:
“Institucioni që unë drejtoj ka mundësuar ofrimin e vaksinës për 13 500 punonjës të shëndetësisë (mjekë, infermierë, etj) në kujdesin parësor dhe spitalor, që kanë kontakte të ngushta me pacientet në praktikën klinike.
Vaksinimi çdo vit ndaj gripit i të gjithë personelit shëndetësor është i rëndësishëm për të mbrojtur vetveten, personelin dhe sidomos pacientët të cilët janë grupe në risk.
Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip, dhe nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike. Kështu, duke u vaksinuar mbrohet vetvetja, familja dhe pacientët
Programi i porsanisur sot (më 15 nëntor 2014) nga Durrësi do të zgjasë deri më 31 dhjetor, pasi edhe rekomandimet e OBSH vlerësojnë se vaksinimi ndaj gripit duhet të bëhet në vjeshtë.
Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip, dh nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike. Kështu, duke u vaksinuar mbrohet vetvetja, familja dhe pacientët”.
Deputetja Klodianë Spahiu falënderoi z. Beqaj për përkushtimin dhe punën lidhur me përgatitjen e një programi të tillë mbarëkombëtar vaksinimi, dhe për faktin që ky program u zgjodh për të filluar në qytetin e Durrësit.
Gjithashtu ligjvënësja Spahiu shprehu falënderimin për drejtuesit e DRSH-së së Durrësit, si dhe drejtuesit e ISHP-së për punën e palodhur në jetësimin e këtij programi dhe u bëri thirrje institucioneve shëndetësore që skema e vaksinimit falas të zgjerohet që të përfitojnë edhe shtresa të tjera të shoqërisë.
Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP deklaroi se personeli shëndetësor futet në grupet më të ekspozuara ndaj sëmundjeve.
Në sezonin 2013-2014, numri i rasteve të raportuara me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme arriti në 16 215 në javë, në pikun e qarkullimit të virusit të gripit.
Komiteti kombëtar i imunizimit udhëzoi më 31 korrik 2014 të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësorë dhe të gjithë ata që punojnë në mjediset shëndetësore dhe kanë kontakt të ngushtë me të sëmuret pasi kemi të bëjmë me një sëmundje të shkaktuar nga një virus i cili transmetohet nëpërmjet rrugëve ajrore dhe kontaktit të ngushtë.
Gjithashtu, ky virus përhapet në masën e gjerë të popullatës gjatë sezonit të gripit, ndërkohë që, i tillë është edhe rekomandimi i dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Ministria e Shëndetësisë ka mundësuar ofrimin e vaksinës për 13 500 punonjës të shëndetësisë (mjekë, infermierë, etj) në kujdesin parësor dhe spitalor, që kanë kontakte të ngushta me pacientet në praktikën klinike.
Në këtë mënyrë, Ministria e Shëndetësisë, përveç rekomandimeve të OBSH-së, zbaton edhe një detyrim ligjor të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 550, datë 27.8.2014 “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë”.
Info për virusin e gripit
Vaksinimi çdo vit ndaj gripit i të gjithë personelit shëndetësor është i rëndësishëm
për të mbrojtur vetveten, personelin dhe sidomos pacientët të cilët janë grupe në risk.
Arsyet bazë: gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu te njeriu; mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë; gripi sezonal është problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë; çdo njeri mund të sëmurët shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm.
Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip; nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike.
Një studim ka treguar se gjatë gripit sezonal 2011-2012, vaksinimi ndaj gripit u shoqërua me uljen e shtrimeve në spital për sëmundje të lidhura me të, me 71 për qind te të rriturit e të gjitha moshave, dhe një reduktim me 77 për qind te të rriturit 50 vjeç e lart; vaksinimi kundër gripit duhet të bëhet në vjeshtë.
KODI I REKOMANDUAR I PRAKTIKËS PËR VAKSINIMIN
1. Nëse vlerësimi i riskut tregon që ka një risk për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve për shkak të ekspozimit të tyre ndaj agjentëve biologjikë, për të cilët ekzistojnë vaksina të efektshme, punëdhënësi duhet t'u ofrojë atyre vaksinimin.
2. Vaksinimi duhet të kryhet në përputhje me rregullat e miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Punëmarrësit duhet të informohen për përfitimet dhe anët negative, si të vaksinimit, ashtu dhe të mosvaksinimit.
3. Vaksinimi duhet të ofrohet pa pagesë për punëmarrësit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që, edhe për sezonin 2014-2015, grupet e popullatës të cilët duhet të marrin vaksinën ndaj gripit sezonal për shkak të rrezikut të komplikacioneve serioze, janë gratë shtatzëna; personat me moshë mbi 6 muaj që vuajnë nga sëmundje kronike; të moshuarit; rezidentët në institucione të kujdesit social për të moshuarit (azile); personat me aftësi të kufizuara, rezidentë në institucione të kujdesit social; fëmijët me moshë 6 muaj deri 59 muaj (5 vjeç); punonjësit e shëndetësisë.





