Vijon katastrofa mjedisore në Manzë të Durrësit. Gjatë natës, mbetjeve urbane të hedhura në landfillin e njësisë administrative u është vënë zjarri, duke rënduar ajrin rreth qytezës së vogël.

Ndërkohë, paraditen e sotme, banorë të zonës janë përpjekur të ndalojnë depozitimin e mbetjeve të tjera urbane në këtë zonë, ashtu siç edhe bënë një ditë më parë.

Prej 4 ditësh, situata e tërheqjes së plehrave në Durrës është mjaft kritike, pasi në të gjitha lagjet mbbeturinat urbane nuk tërhiqen. Shkak është bërë mbyllja e fushës së plehrave në Porto Romano ku ka nisur puna për ndërtimin e Eko Parkut dhe mos përcaktimi i një vendi të ri për grumbullimin e tyre.

Fillimisht bashkia e Durrësit përcaktoi landfillin e Sukthit si pikë grumbullimi, por kjo u prit me protesta dhe reagime të ashpra nga banorët.

Tani për tani, disa kamionë janë shkarkuar në Manzë, por bashkia është në bisedime me qeverinë për të mundësuar një fond të veçantë për dërgimin e plehrave në landfillin e Sharrës.

Dërgimi atje është i pamundur me fondet që ka aktualisht në dispozicion bashkia e Durrësit, për këtë arsye kërkohet ndërhyrja e qeverisë.

Mos përcaktimi i vendit të grumbullimit të mbeturinave dhe mos gjetja e zgjidhjes përsa i përket problemit financiar para se të nisnin punimet për Eko Parkun e kanë shndërruar Durrësin turistik në një qytet, ku plehrat po dekompozohen nëpër lagje.