24 prill 2015 – Edhe pse duket se vera do të vijë e menjëhershme, masat për të pastruar vijën bregdetare ende nuk kanë nisur të merren.
'Ora News' shkruan se në plazhin e Durrësit frekuentuesit e parë shprehin shqetësim për zonën që nuk është pastruar, ndërkohë që një vit më parë në këtë aksion u përfshi edhe ushtria.
Në prag të fushatës elektorale kur presupozohet që ata që rikandidojnë për një mandat tjetër në krye të bashkisë, bëjnë punët që nuk i kanë bërë as gjatë 4 viteve të mandatit, në Durrës nuk po ndodh kjo gjë. Na ndajnë pak ditë nga hapja e sezonit turistik dhe bregdeti i Durrësit vijon të jetë i pushtuar nga mbeturinat e shumta.
Zonat turistike duket se po neglizhohen pasi ende asnjë institucion nuk është angazhuar për marrjen e masave në terren. Vetë vizitorët shprehen të zhgënjyer nga situata, sepse kanë nisur t’a frekuentojnë që tani zonën e plazhit.
Gjatë sezonit të vitit të kaluar gjithashtu bregdeti i Durrësit kishte probleme me mbeturinat që ndoshta ndikuan edhe në uljen e numrit të frekuentuesve të kësaj zone. Në aksionin e pastrimit të plazheve u angazhua edhe ushtria shqiptare, pavarësisht se nuk është ky misioni i saj.





