Detin dhe plazhin e kanë në lëkurë pothuajse gjithë vitin. Edhe në dimër, banjot e diellit dhe larjet në det janë një ritual i zakonshëm për ta. Hamit Muzhaqi dhe Dylaver Barushi janë nga ata durrsakë, tek të cilët deti mbetet dashuria e parë, që i shoqëron gjithë jetën.
“Jam 72 vjeç, por nuk ndahem asnjë ditë nga deti. Banjon e parë e kam bërë më 19 janar këtë vit. Në ditët e ftohta rri pak, kurse tani që ngroh koha bëj deri 2 km not”,– thotë Muzhaqi.
Ndërsa 73-vjeçari Barushi, që të gjithë e thërrasin “Kavie’ rrëfen se është larë më 6 shkurt për herë të parë këtë vit.
“Aty ku lahemi ne bie pak diell dhe ne futemi në det që në dimër. Unë deri më tani nuk i jam ndarë detit, çdo ditë jam këtu. Vi që në orën 08.30 dhe rri deri në orën 14.00. Pasditeve dal sërish dhe rri deri në 8 të darkës aty tek dërrasat”.
Durrsakët e moshës së tretë, që i gjen çdo ditë tek Sfinksi, kanë një dashuri të veçantë për Durrësin, edhe pse për vite të tëra kanë jetuar në emigracion.
“Durrësi është në zemrën tonë. Unë kam 32 vite që jam në Itali, në breg të detit jetoj dhe atje, por si Durrësi dhe ky vendi këtu tek Brryli nuk ka. Kemi lokalin, rërën, detin, një kompozicion i mrekullueshëm. Avash-avash ka nisur të na i vlerësojë edhe bota. Thonë paska gjëra të bukura Durrësi”,- rrëfen për “DurrësLajm” qytetari Kel Sharra.
Rrezet e diellit dhe deti duket se janë kura më e mirë për ta për të mbetur të rinj e të shëndetshëm. Megjithëse të gjithë mbajnë mbi 70 vite mbi shpinë, karakterizohen nga një vitalitet për t’u pasur zili.
“Deti të bën mirë për çdo gjë, për shëndetin, frymëmarrjen, na jep vitaminën D. Jam 72 vjeç jam për bukuri të Zotit, nuk më dhemb asgjë”,– thotë Muzhaqi, ndërkohë që Dylaver Barushi shton se në dimër vishej përherë hollë për shkak të rezistencës që kishte fituar nga ditët e gjata të kaluara në det.
Në çdo ditë të vitit me kohë të mirë, Sfinksi mbetet për ta pikëtakimi i pandryshueshëm. E meqë kalojnë shumë orë të ditës aty, nuk mungon apeli i tyre për më shumë kujdes për mbrojtjen e ambientit dhe mbajtjen pastër të tij.
“Duhet sensibilizuar popullata që mos t’i hedhin mbeturinat vend e pa vend, sepse ne jemi vend turistik”.
“Aty ku rrimë ne, tek pista, tek dërrasat është pisllëk i madh. Në darkë nuk rrimë dot prej mushkonjave”,– thonë Muzhaqi e Barushi.
Pavarësisht problematikave që nuk mungojnë t’i listojnë, Durrësi mbetet përgjithmonë në zemrat e tyre.
M.B.





