Durrësi sot feston 100 vjetorin e pavarësisë. Një shekull më parë në këtë datë, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, do të ngrinte flamurin kuq e zi duke shpallur përmes këtij akti solemn pavarësinë e qytetit bregdetar. Patriotët durrsakë do të bënin kështu realitet përpjekjet e vazhdueshme shumë vjeçare të rilindasve dhe atdhetarëve shqiptarë që për vite e shekuj me rradhë punuan dhe luftuan për ruajtjen e gjuhës dhe trojeve shqiptare.

Durrësi ishte paracaktuar të ishte qyteti ku do të ngrihej flamuri dhe ku do të shpallej pavarësia e vendit, por situata e paqëndrueshme politike dhe rreziku qe vinte nga trupat serbe që po përparonin drejt tij e shtynë Ismail Qemalin dhe grupin e patriotëve që e shoqëronin të nisej drejt Vlorës ku situata paraqitej më e sigurt.

Ky 100 vjetor i pavarësisë e gjen Durrësin të stolisur kuq e zi. Përveç dekorit të vendosur nga pushteti lokal në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit, në ballkonet e shumë shtëpive durrsake valëviten flamujt kombëtarë, megjithëse ndoshta numri i tyre duhet të kishte qenë disa herë më i madh sesa kaq. Simbolet kombëtare i gjen kudo nëpër qytet këto ditë, qoftë në biznese të ndryshme private, në institucione, në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme, në automjetet e ndryshme që lëvizin nëpër qytet etj. Si rrallë herë në këtë 100 vjetor në qytet dominon ngjyra e kuqe.

Bashkia e qytetit akordoi 1.1 milion lekë të reja për dekorin e qytetit, megjithëse drejtuesit e pushtetit lokal deklaruan se mos akordimi i grantit qeveritar dëmtoi jo pak programin e parashikuar për t’u zhvilluar gjatë javës festive. Aktivitetet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve konsistonin në aktivitete të ndryshme organizuar nga shkollat e qytetit, ekspozita etj. Duke përfituar nga ky vit jubilar u nderuan edhe figura të njohura të qytetit që kanë dhënë kontribute të vlefshme në fusha të ndryshme si mjekësi apo arsim. U nderuan disa nga mjekët më të mirë të qytetit, ndërkohë që dhe për disa nga mësuesit më të vjetër u shpërndanë medalje mirënjohje për kontributin e tyre shumëvjeçar në lëmin e dijes dhe edukimin e brezit të ri.

Programi festiv       

Kur bashkia e Durrësit prezantoi rreth dy javë më parë programin festiv të tërhiqte vëmendjen fakti se aktivitetet e programuara për t’u mbajtur në datë 26 parashikonin vetëm një veprimtari në shesh; ngritjen e flamurit nga kryebashkiaku Vangjush Dako dhe më pas një koncert dhe një mbrëmje letraro-artistike në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Me afrimin e datës 26 drejtuesit e pushtetit vendor dhe drejtoria e kulturës në bashki zgjeruan edhe më shumë gamën e aktiviteteve duke synuar të krijojnë një atmosferë festive masive në qytet. Në mënyrë simbolike autoritetet vendore kanë menduar të improvizojnë mbërritjen e Ismail Qemalit në qytet.

Një pajton do të niset nga porti i Durrësit për t’u drejtuar më pas drejt sheshit Liria. Ndërkohë nga një pikë tjetër e qytetit, ish lulishtja “1 maji”, do t’i drejtohen qendrës kalorësit kosovarë që ditë më parë kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt Vlorës nëpër itinerarin e përshkuar një shekull më parë nga trimi Isa Boletini. Ndërsa kalorësit do të përshkojnë bulevardin kryesor do të nisë shpalosja e një flamuri gjigand 3.5 km i cili do të shtrihet përgjatë gjithë bulevardit nga nxënësit e shkollave dhe qytetarët durrsakë.

Në orën 10.00 është parashikuar të mbahet ceremonia solemne e ngritjes së flamurit nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako dhe fjala përshëndetëse nga drejtuesit e institucioneve vendore. Pas kësaj të gjithë të pranishmit do të mund të vizitojnë ekspozitën “Flamujt shqiptarë, itinerari historik nga 1912-2012”, ekspozitë që është prezantuar në shumë qytete shqiptare dhe kosovare. Në ekspozitë do të paraqiten rreth 30 flamuj origjinalë që janë përdorur nga patriotët shqiptarë gjatë këtij shekulli pavarësi.

Më tej rreth orës 11.00 në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të organizohet koncerti festiv për 100 vjetorin e pavarësisë, ndërkohë që  pasditen e sotme janë parashikuar të zhvillohen dy aktivitete të tjera, njëri në orën 17.30, nën kujdesin e bibliotekës së Durrësit dhe universitetit “Aleksandër Moisiu”, dhe një takim i kryebashkiakut Dako me të rinjtë në odeonin “Nikolin Xhoja”. Në mbrëmjen letraro – artistike do të përshëndesin edhe pasardhësit e katër delegatëve të Durrësit në Kuvendin e Vlorës.

Me këto aktivitete mbyllet java kulturore dedikuar 100 vjetorit të pavarësisë, ndërkohë që për datën 28 nëntor, dita më e rëndësishme e këtij festimi jubilar, kalendari nuk parashikon asnjë aktivitet. Duket se në këtë datë qytetarët durrsakë do t’i drejtohen qyteteve të tjera për të festuar ose do të festojnë në ambjente familjare e private 100 vjetorin e pavarësisë së vendit.

Aktivitetet e programuara

Ora 09.30 – lëvizja e pajtonit të Ismail Qemalit nga porti në drejtim të sheshit Liria

Ora 09.30 – marshimi i kalorësve kosovarë në bulevardin kryesor dhe shpalosja e flamurit 3 km të gjatë

Ora 10.00 – ngritja e flamurit nga kryebashkiaku Vangjush Dako dhe fjala përshëndetëse

Ora 10.30 – hapja e ekspozitës “Flamujt shqiptarë, itinerari historik 1912-2012”

Ora 11.00 – koncerti jubilar në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”

Ora 17.30 – mbrëmje letraro-artistike “Rruga e lirisë kalon nga rruga e dijes”, organizuar nga Biblioteka Publike në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës

Ora 18.00 – takim i kryebashkiakut Vangjush Dako me të rinj durrsakë në odeonin “Nikolin Xhoja”