I njohur për amfiteatrin e sitet e shumta arkeologjike, ditët plot diell dhe detin Adriatik, Durrësi po përgatitet për atë që premton të jetë një sezon turistik plot lëvizje.
Turistët e parë u dyndën drejt qytetit bregdetar që në ditët e para të muajit që lamë pas duke çelur më herët këtë sezon veror.
Një ogur i mirë dhe premtues, për atë që mund të jetë sezoni turistik më i gjallë i qytetit deri më sot.
Në një intervistë ekskluzive për “DurrësLajm”, kryetarja Emiriana Sako zbuloi përgatitjet e bashkisë së dytë më të madhe në vend për të përballuar pikërisht këtë fluks, për një verë të pastër dhe të sigurt.
“Kemi punuar në shëtitoren ‘Taulantia’, ku ndodhet pjesa e plazhit, në zonën e Plazhit të Madh, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe në zonën e Gjirit të Lalëzit, ku me të gjithë grupet e ndërmarrjeve kemi marrë masat për një pastrim rrënjësor të pjësës së bregdetit.
Aktualisht jemi duke bërë plugimin e rërës, kryesisht në zonën e plazhit dhe të Shkëmbit të Kavajës dhe do të vazhdojmë edhe në zona të tjera të qytetit, për të vijuar më tej me dezinfektimin“, tregoi kryebashkiakja Sako.
Ndarja e hapësirës private dhe publike, që ka qenë çdoherë “thembra e Akilit”, duket se nuk do të jetë shqetësim për këtë sezon të rërës dhe detit dhe masat për këtë janë marrë që herët.
“Ne kemi hartuar hartat në Këshillin Bashkiak që në muajin nëntor me vendimet përkatëse dhe aktualisht kemi lidhur kontratat pothuajse me të gjithë subjektet, të cilët operojnë në pjesën private të plazhit.
Kemi bërë pikëtimet në terren të këtyre sipërfaqeve duke vendosur tabelat përkatëse dhe sinjalistikën publike dhe patjetër që do t’i monitorojmë këto gjatë gjithë kohës me policinë bashkiake, në mënyrë që t’i ruajmë këto raporte sipas vendimit të KB“, pohoi kryetarja e bashkisë.
Përkrah pastërtisë, bukurisë natyrore të qytetit dhe plazheve të qeta, Durrësi do të ofrojë edhe një gamë të gjerë aktivitetesh të hartuara për të përmbushur të gjitha interesat.
“Vala Fest”, festivali që do të mbledhë më 18 maj në shëtitoren “Taulantia” këngëtarë e DJ të mirënjohur, do të hapë zyrtarisht aktivitetet e planifikuara për sezonin.
Që nga festivalet, ekspozitat, panairet e shfaqjet e baletit, Durrësi do të ofrojë shumëçka, por duke mbetur si kurdoherë: I përshtatshëm për xhepat e secilit!
Prandaj, kryebashkiakja ka vetëm një apel, të cilin e gjeni në videon bashkangjitur.
K.Gj.