28 dhjetor 2014 – Trageti “Norman Atlantic” ende në flakë dhe me motorrë të fikur po tërhiqet nga dy rimorkiatorë njëri prej të cilëve është “Marietta Barretta” 1065 Ton GRT mjaft i fuqishëm, i pajisur edhe me pompë zjarrfikëse. Rënia pak e tallazit në det (vetëm 4-5 ballë nga 6-7 ballë në mëngjesin e së djelës) si edhe era e favorshme në drejtimin jug-juglindje po e ndihmon gjithë procesin e rimorkimit të tragetit drejt Durrësit.
Në Portin e Durrësit Kapitaneria e Porti, APD Durrës, kompania private e mjeteve detare, anije të Flotës Luftarake Detare shqiptare, efektivët e Rojes së Financës italiane të stacionuara në Durrës po marrin masa në mënyrë të ethshme për të ndihmuar tragetin në flakë sapo t’i afrohet radës së Durrësit. Spitali i qytetit po ashtu është në gatishmëri me personel dhe mjete si autoambulanca, sallë operatore etj., për të ndihmuar pasagjerët dhe ekujpazhin e tragetit, që mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore.
Mësojmë se helikopterët e Farkës (AB 206, F 105 apo Super Pumat franceze ) janë në gatishmëri për cdo eventualitet. Ndryshe nga janari i vitit 2004, kur bashkëpunimi i policisë dhe ushtrisë shqiptare me homologët e NATO-s (Greqi, Itali) ishte zero dhe u desh një gazetar durrsak të bënte officerin e ndërlidhjes (Liaison Officer), sot organet shtetërore shqiptare po funksionojnë disi më mirë.
Drejt Durrësit janë drejtuar edhe gazetarë, reporterë dhe kameramanë të mediave prestigjoze ndërkombëtare si Reuters & Thomson, Associated Press, Corriere della Sera, Bloomberg etj.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





