Ndahet nga jeta mjeshtri i madh i ndërtimit në Durrës, Mete Xhemali, në moshën 80-vjeçare. Lajmin e hidhur e njofton djali i tij Arben Xhemali, i cili mes dhimbjes shprehet:
“Miqte dhe dashmiresit e mij,
sot Heroi im, Idhulli im, Luftetari I’m, Babai im, METE XHEMALI e humbi betejen e fundit me semundjen e shekullit.
Sot ne sja dolem bashke si gjithmon. Megjithate edhe me ikjen tende me dhe mesimin te fundit “betejat luftohen deri ne fund””– shkruan Arbeni.
Ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e sotme në orën 14:30, duke respektuar protokollet anticovid.
Po kush ishte mjeshtri i ndërtimit Mete Xhemali?
Ishte një nga njerëzit më të famshëm të qytetit Durrësit në vitet 1970-1980. Jo si politikan. As si aktor. As si këngëtar. As si sportist. Mete Xhemali ishte njeriu më i kërkuar në ndërtimet e reja. Në banesa, objekte industriale, kulturore, arsimore, shëndetësore. Dora e tij dhe e brigadës që drejtonte (ishte 29 vjeç kur i dhanë detyrën) është kudo: që kur ishte 15-16 vjeç teksa hidheshin themelet e hotelit elitar turistik “Adriatiku” deri te Muzeu Arkeologjik në vitet 1982-1993, kur tashmë punonte dhe drejtonte me titullin Mjeshtër Ndërtimi.
Kaloi një jetë të vështirë, qysh në fëmijëri teksa ikte kërthi nga Gumenica e Çamërisë së përvëluar nga grekët shovinistë dhe u vendos në Durrës në vitin 1946. Përgjithësisht, bashkësia çame e Durrësit ka zgjedhur punët më të rënda për të nxjerrë bukën e gojës. Por kudo kanë shkëlqyer për vendosmërinë. Sikurse ka ndodhur me një nga emblemat e bashkësisë vitale. Meteja i hyri punës së ndërtuesit ende fëmijë-adoleshent. Arriti të krijojë një brigadë nga më të paguarat në NSHN. Ishte brigadë “emergjence”, po të flasim me terminologjinë e sotme. Në kuptimin për kryer punime delikate, të posaçme. Madje, ka dalë dhe jashtë Durrësit. Në Elbasan (1975), në Bushat të Shkodrës në ditët e pas-tërmetit (1979), ku ndërtoi spital trekatësh.
Brigada e Mete Xhemalit ka lënë gjurmë në disa nga objektet më të rëndësishme të qytetit si: Muzeu i ri Arkeologjik, pallatet eksperimentale me kolona të hyrjes së Durrësit, pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu”, evidenca ekonomike (ku ndodhet edhe selia e PD-së), komiteti i PPSh-së (sot këtu ndodhen Prefekti, Këshilli i Qarkut, ALUIZNI, selia e PS-së, shoqata “Durrësi”, INSTAT-i), shtëpia e pushimit e ministrisë së Brendshme, kantieri detar, depot e eksportit, Monumenti i Rezistencës dhe sheshi përreth tij (ish-lulishte “Vollga”), shkolla e mesme “Naim Frashëri”, tribuna kryesore e “Niko Dovanës”, pallatet te stacioni i ri hekurudhor i udhëtarëve, kapanonët e URT-së etj.





