Nga BUJAR QESJA

E enjtia e 18 nëntorit 2021 e hapi siparin me një lajm të dhimbshëm, shumë të kobshëm, me një trishtim që na ka çeduar nga përditshmëria e jonë. Me 5 tetor 2021, publikova një shkrim me titull:

“Ringriu si njëherë e në një kohë Lad Ajazi!

-Me besim se me 22 shkurt 2022 do të festosh 70 vjetorin e lindjes

Pas 43 ditësh nga ky shkrim shumë inkurajues, duke ia kompesuar sadopak fatalitetin e sëmundjes me më shumë kurajo, erdhi edhe ky lajm me përmasa lemeritëse se Vladimir Ajazi na la, për të mos na lënë kurrë memoria e jonë për të.

Fuqia e emrit të tij mbetet e tillë, sa në këtë mëngjes lëvizi i tërë Durrësi kur mësoi këtë hidhërim, madje reagime jo të pakta vijnë edhe nga Tirana. Si publiçist i qytetit tim, si mik dhe shok i hershëm veçanërisht me këtë brez futbollistësh, pasi jemi moshatarë, janë përplasur tek unë telefonata të panumërta dhe takime direkte, për të konfimuar vërtetësinë e lajmit.

Herët në mëngjes, pyeta një mikun tim të afërt me Ajazët dhe më dha të kuptoj që është në minutat e fundit. Ndërsa i nipi i tij Arben Banushi, duke e ditur ndjeshmërinë ndaj Vladimir Ajazit më informon edhe për disa hollësi.

Ladi ynë mbylli sytë, me 18 nëntor 2021, në orën 7.00, pas një përpjekje të jashtëzakonshme mbijetese prej pesë vitesh.

Futbollistët durrsakë veçanërisht ato të brezit të Vladimir Ajazit, janë të privilegjuarit e qytetit. Futbolli është sporti më popullor dhe veçanërisht në Durrës, tradita e krijimit të tij është e hershme. Nga natyra e tij Ladi ishte shumë aktiv në raporte me njerëzit. Thuajse çdo durrsak rrokte përshëndetjet e tij. Që në fëmijëri ishte i shkathët dhe sporti mbeti justifikimi më i mirë i pasionit dhe natyrës së tij.

Vladimir Ajazi ka patur fatin të jetë pjesë e një familje me prestigj në Durrës, ndonëse origjina ishte nga Vlora. Shyqyri Ajazi, babai i Ladit kujtohet si njeri stoik, burrë i besës, serioz e korrekt, njerëzor dhe sakrifikues. Në krah ka patur një grua herionë si Merzai-në dhe e shtuan familjen Ajazi me djemtë Ajazin, Pajtimin, Petritin, Vladimirin dhe motrat Luiza, Valentina dhe Vefi. Se çfarë janë Ajazët, duhet të vish në Durrës dhe të kuptosh peshën e tyre morale dhe qytetare.

Në këtë mjedis u rrit dhe zhvilloi aftësitë e tij Vladimir Ajazi. Fiziku i tij i fortë, humori dhe komunikimi plot energji, lëvizshmëria prej atleti, ishin tregues se ky lis i Ajazëve, nuk do të binte lehtë në tokë. Jeta e tij sportive është aktive dhe mbreslënëse. Së bashku me Agim Bulkun dhe Edmond Zallën, është treshja historike e përfundimit të studimeve në shkollën e futbollit. Dhe karriera e Ajazit erdhi në ngritje. Portjer i njohur që me “Shkëndijën” e Tiranës, më pas në Durrës tek zëvëndësoi të mirnjohurin Naim Dollaku dhe u bë pjesë i një grup të artë të futbollit durrsak si Leshteni, Filjari, Kapedani, Çela, Jani, Nica, Toçi, Hima,Miha, Koka, Haxhi Ballgjini, Likmeta, Bulku, Meta, Hado, Oketa etj. Karrieri e Ajazit u ngrit deri në portjer i ekipit përfaqësues të 21 vjeçarëve.

Në tërë karrirën mbeti frymëzues për arritjet e futbollit durrsak dhe u bë beniamini i tifozërisë durrsake. Pesha e tij erdhi në ngritje teksa nga mësuesi i edukimit fizik, falë aftësive profesionale dhe organizuese të marrë edhe detyra të tilla si sekretar i Klubit Shumë Sportesh “Teuta”, zëvëndës trajner i ekipit kombëtar kur trajner ishte gjermani Brigel, zëvëndëstrajner i “Teutës” në vitet e lavdishme të saj në mesin e viteve 90-të, seleksionues i zonës së Durrësit për fidanishten e re të futbollit shqiptar. Lad Ajazi mbi të gjitha ishte kategoria e specialistit, që i qendronte afër kolegëve të tij trajner të të gjitha kategorive të përfaqësimit të futbollit durrsak, futbollistëve duke i ndihmuar dhe inkurajuar në karrierën e tyre.

Por Ladi mbeti një shok dhe një mik i rrallë, jo vetëm i yni që njiheshim prej kohësh, por edhe i çdo durrsaku dhe më përtej. Ishte shumë i afrueshëm dhe ndodhej pranë halleve të çdo kujt. Është kjo një nga arsyjet parësore, pse në këtë 18 nëntor 2021, për humbjen e tij lëvizi një Durrës, u trondit një popull. Keqardhja për humbjen e tij, e ka kaluar të zakonshmen. Kujtojmë që jemi në kohën e mortajës kovidiane, ku largimet nga jeta të njerëzve janë bërë nrmale, e në këtë sfond dhimbjeje ndarja nga ne e Ladit bëri përshtypje të pazakontë.

Dhimbja është e madhe. Çdo njëri prej nesh, mund të presë ngushëllime për Vladimir Ajazin, pasi ai ishte dhe mbeti i të gjithëve. Ka një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku i gjërë dhe veçanërisht nga mediat e natyrave të ndryshme. Në këtë rast, më duket vetja si një zëdhënës shtypi i kësaj vakie të madhe. Në mëngjes herët ngushëlluam për këtë humbje të birin Ilirin, pasi djali i dytë Sokoli ndodhet jashtë Atdheut. Gjithashtu në pikëllim të madh ndodhet edhe bashkshortja Lida, motrat Luiza, Valentina, Vefi, vëllezërit Pajtimi dhe Petriti.

“Ringriu si njëherë e në një kohë Lad Ajazi!

-Me besim se me 22 shkurt 2022 do të festosh 70 vjetorin e lindjes

Këto ishin thirrjet e drejtuara në shkrimin e 5 tetorit 2021, teksa bëra foton e fundit me shokun tim të fëmijërisë, rinisë dhe të kësaj faze të jetës Vladimir Ajazi. E dija që ishte shumë, shumë rëndë. Mjeksia e përparuar italiane, ngriti duart para zhvillimit rebel të një sëmundje të pashërueshme dhe fatale për jetën. Bënë çfarë mundeshin dhe në këto kushte Lad Ajazi rikthehet në qytetin e lindjes.

Tërheq vëmëndjen dëshira e madhe, e shokut tonë të shtrenjtë për të jetuar. Tërë këto javë të fundit, ai u rrethua nga një reagim njerëzor i jashtëzakonshëm. Të gjithë e inkurajonin dhe besonin për mbijetesë. Ladi tregonte një kurajo të pabesueshme për t’ia dalë. Dhe kështu kaluan tërë këto ditë, deri të enjten e 18 nëntorit 2021, ku në orën 7.00 të mëngjesit, dha frymën e fundit i paharruari ynë Vladimir Ajazi.

Na bie që me 22 shkurt 2022, dita e 70-të vjetorit të lindjes, të kthehet në një rilindje të fuqishme e kujtesës tonë, për ty i shtrenjti vëllai dhe shoku ynë i dashur Vladimir Ajazi. Ti meriton të kujtohesh dhe kështu do të ndodhë!

Lamtumirë Vladimir Ajazi! Do të përpiqemi të mësohemi me këtë humbje, ndonëse kujtesa për ty që tani, është vendosur përfundimisht.