Tri përfaqësues të komuniteteve fetare të Durrësit, të mbledhur bashkë në një ceremoni për nderimin e tyre me të njëjtin titull, shfaqi dhe një herë haptazi mirëkuptimin ndërfetar që ofron Durrësi dhe e gjithë Shqipëria në kohët e sotme, një vlerë e jashtëzakonshme për mirëkuptimin midis bashkësive të ndryshme fetare.
Në qytetin e Durrësit mbrëmjen e djeshme është festuar 25-vjetori i krijimit të shoqatës “Durrësi”, një ceremoni e zhvilluar në një mjedis festiv në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku pati pjesëmarrje të madhe me themelues të kësaj shoqate 25 vite me parë si dhe të familjarëve dhe anëtarëve më të rinj të saj.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të saj, shoqata “Durrësi” ka nderuar me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit” myftiun e qytetit Redin Quku, At Gjerasin Cakallin dhe Dom Gjergj Metën, si përfaqësues të klerit Mysliman, Ortodoks dhe Katolik, me motivacionin “Për kontributin që japin për mirëkuptimin dhe dashurinë mes qytetarëve. Për mbështetjen shpirtërore për qytetarët durrsakë. Për tolerancën dhe transparencën ndërfetare”, duke evidentuar kështu edhe një herë qytetin e Durrësit si qytetin perëndimor të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, traditën e hershme me rrënjë në thellësi të shekujve.
Bashkëjetesa në paqe e besimeve fetare në Durrës, dhe në të gjithë Shqipërinë, na bën gjithnjë një vend që merremi në konsideratë si shembull edhe për vendet e tjera. Harmonia fetare e trashëguar si një dhuratë e çmuar brez pas brezi, mbetet një nga vlerat historike, kulturore dhe civilizuese, me të cilën krenohemi dhe kemi ç’t’u ofrojmë popujve të tjerë.
Takimin e ka përshëndetur edhe kryetari i bashkisë Vangjush Dako, i cili ka vlerësuar kontributin e kësaj shoqate për mbështetjen dhe zhvillimin e qytetit të Durrësit. Për të pranishmit është organizuar edhe një koncert i madh festiv, ndërsa më herët ata patën mundësinë të merrnin pjesë në një foto ekspozitë me nismëtarët e parë të shoqatës “Durrësi”.